Kuvendi verifikon amendamentet kushtetuese

23.01.2015 18:27

Kuvendi, me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, i verifikoi të gjitha propozim-amendamentet e kushtetutës...

Pas verifikimit, kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski, dha pauzë deri në orën 19, që të mund të mblidhen të gjithë 82 deputetët e shumicës parlamentare për të votuar tetë amendamentet kushtetuese.

Gjatë verifikimit të amendamenteve, BDI mbështeti propozim-amendamentet kushtetuese, me koncentrim të posaçëm në amendamentin 40, i cili parasheh miratimin e një ligji kushtetues për Gjykatën Kushtetuese, me të cilin pretendon të rregullojë vendimmarrjen sipas parimit të badenterit për ligje që janë miratuar me votim të dyfishtë edhe në këtë institucion.    

“Besojmë se në periudhën që vjen do të kontribuojmë që qytetarët, në veçanti shqiptarët, të krijojnë pak më shumë besim në institucionin Gjykatë Kushtetuese, për të cilën, siç e thashë, qytetarët e vendit akoma kanë rezerva të theksuara dhe kanë arsyet e tyre për të pasur dilemat, sidomos kur është fjala për mënyrën e marrjes së vendimeve në këto institucione”- deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Sipas zëvendësministres së Drejtësisë, Biljana Boshkovski edhe miratimi i këtij ligji propozohet me rekomandim të Komisionit të Venecias, i cili realisht do të zëvendësojë Rregulloren për Punë të Gjykatës Kushtetuese.

“Ligji për Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me mënyrën e punës dhe procedurën para Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ato nuk kanë të bëjnë, përkatësisht nuk janë të lidhura me amendamentin 10, paragrafi i dytë, përkatësisht me ligje të cilat drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale, si dhe simbolet”- tha zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana B. Boshkovski.

Për deputetin, Pavle Trajanov, me rëndësi është që gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese të kenë integritet, ndërsa vendimmarrja të jetë publike.

“Mund të nxjerrim përfundim se opinioni duhet të ndjek drejtpërdrejt punën e Gjykatës Kushtetuese. Ai është institucion i rëndësishëm, rojtari i kushtetutës dhe është mirë që qytetarët dhe ekspertët të shohin se si dhe në bazë të ç’gjëje i marrin vendimet”- u shpreh deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.

Veç kësaj, me ndryshimet kushtetuese rregullohet martesa si bashkësi ekskluzivisht mes një burri dhe një gruaje; krijohet mundësi kushtetuese që në Maqedoni me ligj mund të themelohen zona ndërkombëtare financiare; Banka Popullore riemërtohet në Banka e Republikës së Maqedonisë; rritet pavarësia e Entit Shtetëror për Revizion; përcaktohet niveli i deficitit buxhetor në 3% të BPV-së, ndërsa borxhi publik nuk guxon të tejkalojë 60% të BPV-së; me amendamentin 38 rritet pavarësia e Këshillit Gjyqësor, duke rritur numrin e anëtarëve nga radhët e gjykatësve dhe mënjanimin e ministrit të Drejtësisë dhe kryetarit të Gjykatës Supreme si anëtarë sipas funksionit; ndërkaq, me amendamentin 39 i shtohen kompetencat Gjykatës Kushtetuese që të marrë vendime rreth padive kushtetuese të ngritura nga persona fizik dhe juridik kundër organeve shtetërore, të cilat pretendohet se kanë shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe të marrë vendime për ankesat kundër vendimeve të Këshillit Gjyqësor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)