Maqedoni
Energjetikë, kyçen 17 megavat energji diellore në Sh.Nikollë
10.10.2022 16:11
Energji elektrike për 5500 familje do të sigurohet nga termocentrali diellor me kapacitet prej 17 megavat...

Energji elektrike për 5500 familje do të sigurohet nga termocentrali diellor me kapacitet prej 17 megavat në rajonin e Shën Nikollës. Këto17 megavat energji diellore tashmë janë të kyçura në rrjetin elektrik. Ky kapacitet përbën prodhuesin më të madh diellor në vend dhe është një pikë kthese në transformimin e gjelbër të rajonit, theksoi Igor Koprivnikar, ndërmarrja investuese GEN-I.
“Çmimet e energjisë elektrike po rriten pa ndalesë, aktualisht në fund të gushtit çmimet arritën kulmin prej një mijë euro për megavat orë, prandaj edhe prodhimi vendor i energjisë elektrike nga termocentralet diellore është i një rëndësie edhe më të madhe.”, tha Igor Koprivnikar, drejtues i bordit “GEN-I”.
Investimi është një hap i madh në drejtim të realizimit të ambicieve të qeverisë për sigurimin e energjisë elektrike dhe burimeve të rinovueshme, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit ndërmarrja “GEN-I” i ka paguar buxhetit të shtetit 2.7 milionë euro përmes konceptit të një shoqërie innovative ndërsa në këmbim ka marrë tokë në përdorim për 50 vjet.
“Stabiliteti në sigurimin e energjisë elektrike përmes të gjitha burimeve në dispozicion është prioriteti ynë kryesor, veçanërisht në kohët e krizës më të madhe energjetike dhe ekonomike në botë.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Me këtë investim janë përfituar 17 megavat shtesë, aq sa shtë bërë në 30 vitet e fundit në vend, tha ministri Kreshnik Bekteshi.
“Vetëm me këtë investim, brenda jo më shumë se 2 vjet e gjysmë, kemi 17 megavat fuqi shtesë të instaluar, që do të thotë se me vetëm një investim kemi aq sa është bërë në 30 vitet e fundit në një vend që është i njohur si vendi i diellit.”, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Termocentrali diellor është kyçur në rrjet 4 muaj përpara afatit.
NAIM RAMADANI
