Presidenti i Shqipërisë, mbledh KSK- në për sulmet kibernetike të Iranit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj...

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mblodhi 14 anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar rreth sulmeve kibernetike të Iranit.
Pas dy orësh takim, presidenca zbuloi se sulmet keqdashëse duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike si një element thelbësor të sigurisë kombëtare.
Ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.
Në mënyrë të veçantë, u vlerësua se mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë tona, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik
“Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sulmet e njëpasnjëshme kibernetike, çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin. (Luljeta Ndoka, TVM2)
