Konflikti ruso-ukrainas, Putin: Sulmet në Kiev, hakmarrje për terrorizmin

10.10.2022 19:07

Shkëmbim i ashpër i zjarrit mes Rusisë dhe Ukrainës....

Shkëmbim i ashpër i zjarrit mes Rusisë dhe Ukrainës pas shpërthimit të urës së Krimesë. Moska është e bindur se Kievi kreu një sulm terrorist, ndaj u kundërpërgjigj me një sërë sulmesh me raketa në disa qytete të Ukrainës, përfshirë edhe kryeqytetin.

Në kryeqytet u prek ura Kliqko dhe konsullata gjermane. Në Moskë mbledhet Këshilli i Sigurimit.

“Nëse tentativat për sulme terroriste në territorin tonë vazhdojnë, përgjigjet ruse do të jenë të ashpra dhe të përshtatshme me nivelin e kërcënimeve ndaj Federatës Ruse” – tha Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Kemi të bëjmë me terroristë, me dhjetëra raketa, drone luftarake iraniane. Ata kanë dy synime, i pari me objektet e energjisë elektrike dhe i dyti janë njërëzit” – u shpreh Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.

Banorët e Kievit dhe Kharkivit po strehohen në stacionet e metros, në disa pjesë furnizimi me energji elektrike është ndërprerë.

“Kjo është e pritshme, pasi bombarduam urën e Krimesë e prisnim këtë, është për të ardhur keq kjo që po ndodh” – tha një banore e Kievit.

“Rusia po sulmon infrastrukturën kryesore, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të rikthyer shërbimet bazë” – deklaroi Kreu i Administratës së Kharkiv, Oleg Sinegubov.

Për shkak eskalimit të fundit, konfliktit i bashkohet edhe Bjellorusia. Moska dhe Minsku do të vendosin një grup të përbashkët ushtarak në kufi.

BE dënon ashpër  bombardimet

Bashkimi Evropian dënoi si për bombardimet ashtu edhe njoftimet për bashkëpunim ushtarak midis Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Nuk ka vend për sulme të tilla në shekullin e 21-të. BE-ja është në anën e Ukrainës dhe dënon fuqishëm këto sulme të tmerrshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, ato janë barbarë dhe frikacakë. Bombardimi i Kievit është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe për këtë arsye përbën një krim lufte” – theksoi Zëdhënësi i KE-së, Peter Sano.

Pas paketës së fundit të sanksioneve kundër Moskës, Brukseli njoftoi ndihmë të re ushtarake për Ukrainën. (Sedat Selimi, TVM2)