Pesë të vrarë nga një shpërthim në Donjeck
Separatistët pro-rusë dhe mediat ruse raportojnë se së paku pesë njerëz janë vrarë si rezultat i një shpërthimi që ka ngjarë sot në mëngjes në një stacion të transportit publik në Donjeck të Ukrainës, qytet i kontrolluar nga separatistët pro-rusë...

Një zyrtar policie konfirmon ngjarjen, duke bërë të ditur se pesë persona humbën jetën si pasojë e shpërthimit të një predhe në një autobus publik në qytetin e Donjeckut.
“Ukraina po kalon në një periudhë mjaft të vështirë. Mund të them se vetëm në nëntë ditët që lamë pas kemi 29 njerëz të vrarë. Vetëm nga shpërthimi i sotëm pesë persona humbën jetën. Ju bëj thirrje të gjithë që të jenë të kujdesshëm, ngaqë sulmuesit enden rrugëve, nëpër autobusë dhe vende tjera publike”- deklaroi zëdhënësi i Policisë, Rupert Colville.
Kanali Shtetëror rus, “Rossia-24”, bën me dije se trembëdhjetë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i sotëm. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet, por disa raporte bëjnë me dije se një predhë e ka goditur një tramvaj apo një autobus.
Më shumë se katër mijë e 800 persona janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i konfliktit në muajin prill të vitit të kaluar. (Valbon Bexheti, TVM2)
