Botë
Biden në Samitin e G20 nuk do të takojë Putinin
12.10.2022 12:30
Presidenti amerikan, Joe Biden, “nuk ka ndërmend” të flasë me homologun rus Vladimir Putin...

Presidenti amerikan, Joe Biden, “nuk ka ndërmend” të flasë me homologun rus Vladimir Putin në samitin e G20, por do të konsideronte një takim nëse presidenti rus dëshiron të flasë, për lirimin e Brittney Griner, amerikanes që ndodhet në burg në Rusi.
“Varet nga ajo që ai dëshiron të diskutojë,” tha Biden për një takim ballë për ballë të mundshëm me Putinin muajin e ardhshëm në Indonezi. “Nëse ai do të vinte tek unë në G20 dhe do të më thoshte se donte të fliste për Grinerin, unë do ta takoja. Kjo varet. Unë nuk kam ndërmend të negocioj dhe askush nuk është gati të negociojë, me Rusinë për Ukrainën, për të mbajtur pjesë të Ukrainës. Pra do të varej, konkretisht se çfarë dëshiron të diskutojë”, shpjegoi Biden në një intervistë për CNN, duke theksuar se negociatat për një zgjidhje të luftës duhet të përfshijnë Kievin. “Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, theksoi më pas presidenti amerikan, duke kritikuar Putinin për kryerjen e akteve brutale dhe krimeve të luftës. “Ai llogariti gabim” me pushtimin, ai mendoi se do të pritej me krahë hapur, se do të ishte i mirëpritur,” shtoi Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar gabimisht kapacitetet e Rusisë për të pushtuar Ukrainën. Por, lideri amerikan tha se nuk beson se Moska do të përdorë armë taktike bërthamore kundër fqinjit të saj, pavarësisht kërcënimeve të maskuara ruse për përdorimin e mundshëm të arsenalit bërthamor. Biden i bëri këto deklaratat teksa presidenti, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Perëndimit për dërgim të shpejtë sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, në mënyrë që shteti i tij të mbrohet nga sulmet ajrore.
Ndërkohë NATO do të vazhdojë me stërvitjet bërthamore javën e ardhshme, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve midis Perëndimit dhe Rusisë pas kërcënimeve të fshehta të presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore.
