Maqedoni
Korrupsioni, “mobilizim gjithëpërfshirës për luftë efikase”
12.10.2022 13:00
Korrupsioni është detektuar si një ndër problemet kryesore të shoqërisë sonë....

Korrupsioni është detektuar si një ndër problemet kryesore të shoqërisë sonë. Për ta luftuar atë duhen reforma dhe angazhim serioz. Ministria e Drejtësisë bashkë me UNDP-në, organizuan punëtorinë e radhës kushtuar standardeve të integritetit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Në bazë të anketave të realizuara, korrupsioni është çdoherë në mesin e pesë problemeve kryesore. Për korrupsioni çdoherë kemi apeluar që duhet të flitet dhe të gjitha këto ngjarje janë tregues se vërtet për këto probleme po flitet.”,- tha anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Vladimir Georgiev.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se për luftën kundër korrupsionit, po ndërmerren hapa konkretë.
“Janë paraparë trajnime për zyrtarët e administratës, janë vendosur rregulla për rotacion në pozicione, kompensimi për të punësuarit në sektorin publik llogaritet përmes pikëve apo vlerës së vendit të punës. Po ashtu është rregulluar edhe domosdoshmëria e informimit për financimin e zgjedhjeve, fushatave dhe financimi i partive politike.”,- theksoi sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Drejtësisë, Muhamed Toçi.
UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka lancuar platformën elektronike përmes të cilës qytetarët kanë qasje te shpenzimi i mjeteve publike.
“Kemi një numër prej 45 komunave të cilat rregullisht informojnë për shpenzimet buxhetore. Po ashtu është punuar edhe publikimi i bashkëpunimit të komunave me OJQ-të dhe ndarja e mjeteve komunale për këto organizata.”,- tha udhëheqësja e programit “Sundimi i Demokracisë” – UNDP, Biljana Cvetanovska Gugovska.
Të pranishmit konkluduan se për luftë efikase kundër korrupsionit është e nevojshme mobilizim gjithëpërfshirës, të flitet në opinion dhe të ketë qasje deri tek mjetet për informim të cilat duhet të jetë krah-përkrah në këtë luftë dhe më e rëndësishmja - transparencë nga institucionet.
FITIM KRYEZIU
