Maqedoni

Mungesa e librave në shkollat e mesme, Shaqiri: Do të printohen në varësi të buxhetit

12.10.2022 14:16

Gjatë muajit tetor apo në fillim të nëntorit filloristët do t’i kenë librat, premtoi përsëri ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri....

Gjatë muajit tetor apo në fillim të nëntorit filloristët do t’i kenë librat, premtoi përsëri ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. I pyetur se çka do të ndodh me mungesën e librave për shkollat e mesme, Shaqiri thotë se librat për shkollat e mesme profesionale do të printohen sipas mjeteve buxhetore në dispozicion. 
 
“Sipas mjeteve në dispozicion të buxhetit do të printojmë edhe për shkollat e mesme. E potencova se kemi themeluar një këshill ku janë të gjithë institucionet, për t’i parë këto të dhëna dhe do të jetë prezente Ministria e Financave, sepse nuk janë të dhëna që lidhen vetëm me politikat arsimore të cilat i ka MASh, por lidhen edhe me institucione tjera në procesin arsimor në vend.”,- deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Universitetet dhe tregu punës, përgatitja e kuadrove - që në arsimin fillor
 
Teksa ende shkollat fillore e të mesme presin librat që u mungojnë, universitetet kanë të tjera probleme. Ato duhet të përshtatin programet arsimore me nevojat e tregut të punës. 
 
“Ndryshimet që ndodhin posaçërisht në botën digjitale alarmojnë se deri në 2030 –n, ne do kemi profesione tjera dhe kompanitë më të mëdha kanë themeluar Universitetet e tyre që prodhojnë profile të veçanta dhe profesione të reja.”,- u shpreh rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
 
“Që nga shkolla fillore të përgatisin kuadrot sipas nevojave të tregut, respektivisht sektorët të cilët çalojnë, sektori i ndërtimtarisë që është një nga shtyllat kryesore ku mbi 30 për qind e zhvillimit ekonomik vjen nga ai sektor dhe ai që është trend botëror - sektori IT, duke u nisur nga fakti se kemi rini dhe resurse të cilat mund t’i përgatisim në këtë drejtim.”,- theksoi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Që të riakreditojë programet e nevojshme studimore, Agjencia për Cilësinë e Arsimit Sipëror do t’i shqyrtojë Hulumtimet e Odës Ekonomike.
 
FLUTURA LATIFI