Maqedoni

“Kolska”, dështon protesta para qeverisë, nuk i lanë në tren pa bileta, bllokuan stacionin

12.10.2022 14:46

Në vend të protestës së paralajmëruar para Qeverisë, punëtorët e fabrikës “Kolska” në Veles bllokuan stacionin e trenit....

Në vend  të protestës së paralajmëruar para Qeverisë, punëtorët e fabrikës “Kolska” në Veles bllokuan stacionin e trenit, pasi nuk iu lejua të hyjnë në trenin e udhëtarëve për në Shkup, sepse nuk ishin të pajisur me bileta. 
 
“Sapo erdhi treni, konduktorët thanë menjëherë se kot do të futeni, treni nuk do të lëviz fare. Është dashur të paguajmë bileta, para për bileta nuk kemi.”,- tha kryetari i Sindikatës në "Kolska", Toni Arsovski.
 
Të revoltuar ata bllokuan trafikun hekurudhor. NP e Hekurudhave- Transporti, sqaroi përmes një kumtese se sipas Ligjit, pasagjeri është i obliguar që para fillimit të udhëtimit të marrë biletën e trenit.
 
“Transporti SHA - Shkup ka dërguar profaturë në Fabrikën e Automjeteve Hekurudhore - Veles për të mbuluar shpenzimet e transportit të grupit të udhëtarëve, në mënyrë që udhëtarët pa biletë të lejohen të udhëtojnë në destinacionin e duhur. Profatura ende nuk është paguar.”-, thonë nga kjo ndërmarrja.
 
Protesta bllokoi edhe pasagjerët e trenave të  mëngjesit, mes tyre  studentë, nxënës e punëtorë që udhëtonin për në Shkup. 
 
“Që nga viti 2008, diçka e tillë nuk na ka ndodhur. Kam një takim në spital për një kontroll në orën 9.”,- tha një udhëtar.
 
“Treni ishte këtu që nga 6.30 të mëngjesit. Unë do të shkoj në Shkup se kam ligjërata në fakultet.”,- theksoi një udhëtar. 
 
Punonjësit nga “Kolska” nuk heqin dorë që sërish të vijnë të enjten para qeverisë. Nëse prapë nuk lejohen të udhëtojnë me tren, ata do të bllokojnë përsëri trafikun hekurudhor.

SEDAT SELIMI