Maqedoni
“Argument”, hapja e kushtetutës, Jonuzi: Mundësi që të hiqet referenca 20%
12.10.2022 15:01
A duhet që të hiqet edhe referenca e 20%-shit për gjuhën shqipe nga Kushtetuta me procesin e ndryshimeve kushtetuese....

A duhet që të hiqet edhe referenca e 20%-shit për gjuhën shqipe nga Kushtetuta me procesin e ndryshimeve kushtetuese. Panelistët në “Argument” në TVM2 me mendime të ndara. Hapja e Kushtetutës nuk ndodh çdo ditë, andaj sipas gazetarit, Destan Jonuzi, ky është moment ku partitë shqiptare të insistojnë për heqjen e referencës 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta.
“Pikërisht me këto ndryshime kushtetuese në të cilat na hapen dyert e mëdha për të ecur drejt Brukselit, ta zgjedhim edhe çështjen që mos të ndjehen shqiptarët të ofenduar me atë përcaktim kushtetues.”,- deklaroi gazetari, Destan Jonuzi.
Aliti: Nuk është momenti për kushtëzime
Por, analisti Faton Aliti thotë se edhe përskaj faktit që emërtimi 20% për gjuhën shqipe është i turpshëm, në asnjë mënyrë nuk duhet të kushtëzohet me votimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat zyrtarisht do të mundësonin hapjen e negociatave me BE-në.
“Të barazosh në moment të tillë, të dalësh se ne do i votojmë ndryshimet kushtetuese në qoftë se ndryshojmë edhe këtë, është qasje joserioze politike në qoftë se dikush e ndjen veten si politikan serioz.”,- theksoi analisti, Faton Aliti.
Panelistët besojnë se edhe përskaj qëndrimeve të opozitës maqedonase lidhur me propozimin francez do të sigurohen numrat prej 80 deputetëve që do të mundësonin miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
ERSAN PAJAZITI
