Maqedoni
Polarizimi në Kuvend, Gashi: Sfidat tejkalohen me dialog
12.10.2022 15:55
Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, duke komentuar raportin e KE-së shprehet optimist...

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, duke komentuar raportin e KE-së shprehet optimist se vendi do të jetë në gjendje të tejkalojë vlerësimin se jemi mesatarisht të përgatitur në harmonizimin e legjislaturës së vendit me atë të BE-së. Polarizimi midis forcave politike në Kuvend si dhe ndryshimet kushtetuese, sipas Gashit, mund të tejkalohen vetëm së bashku, duke shfrytëzuar dialogun dhe të gjitha resurset vendit.
“Nuk kemi nevojë ta shohim këtë betejë kundër njëri-tjetrit, kush do të vijë në pushtet dhe kush do ta mbajë pushtetin. Jemi para një sfide të madhe, mendoj se duhet të jemi të gjithë bashkë. Edhe marrëdhëniet në Kuvend duhet të relaksohen, duhet të hapim një dialog të gjerë, kontakte të shpeshta mes të gjithë deputetëve dhe grupeve të deputetëve.”,- tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Heqja e 20% nga Kushtetuta, Gashi: Presim korrektësi nga pala tjetër
I pyetur lidhur me kërkesën e subjekteve politike shqiptare për ndryshimin e përcaktimit të gjuhës shqipe 20%, Gashi theksoi se shqiptarët gjatë gjithë proceseve në vend kanë qenë korrekt për sa i përket identitetit maqedonas dhe të njëjtën e presin nga bashkëqytetarët maqedonas.
“Çelësi i stabilitetit të këtij vendi janë marrëdhëniet ndëretnike mes të dy komuniteteve më të mëdha, atij shqiptar dhe atij maqedonas, por edhe ndërmjet të gjitha bashkësive tjera etnike. Mendoj se partitë politike shqiptare në momente të caktuara ndonjëherë duan t'ua bëjnë të ditur partive politike maqedonase se “a e shihni sa e vështirë është që dikush të mos e njohë gjuhën tuaj ashtu siç e dini, respektoni dhe përdorni atë. Thjesht duhet të kemi mirëkuptim me njëri-tjetrin, por kjo nuk është përdorur asnjëherë në politikën e jashtme.”,- u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Në një intervistë në TVM1, Gashi shprehet i bindur se të gjitha problemet përfshi edhe kërkesën lidhur me definimin e gjuhës shqipe prej 20% mund të tejkalohen por për këtë nevojitet që politikanët të kontribuojnë.
NAIM RAMADANI
