Arsimi cilësor, mungojnë mjetet elementare në zonat rurale
Në zonat rurale dhe te bashkësitë më të vogla etnike....

Në zonat rurale dhe te bashkësitë më të vogla etnike është më e vështirë zbatimi i programit të ri në klasën e parë dhe të katërt. Analizat e organizatave joqeveritare tregojnë se shkollat atje nuk kanë mjete elementare digjitale për mësimdhënie, problemi është infrastruktura, lidhja me internetin, mungojnë asistentët arsimorë dhe trajnimi për mësuesit.
“Ka pabarazi, veçanërisht për shkollat që janë në zonat më rurale, ato kanë më pak mundësi për pjesëmarrje dhe kontribut aktiv për të arritur rezultate, sepse mungojnë tekstet shkollore dhe materiali bibliotekar dhe burime të caktuara për mësimin e këtyre gjuhëve.”,- tha koordinatorja e programit në FOOM, Natasha Angjeleska.
“Shteti duhet t'u ofrojë mësuesve ndihma teknike adekuate në mënyrë që ata të zhvillojnë aftësitë digjitale te nxënësit. Mësuesit në këtë proces duhet të trajnohen intensivisht në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm për sfidat dhe risitë që sjell ky koncept si dhe kushtet në të cilat nxënësit mësojnë, flasim për inventarin, po flasim për të gjitha ato mjete elementare të nevojshme që nxënësit të jenë të lumtur dhe të kënaqur.”,- tha kryetari i Shoqatës “Zmai”, Viktor Mitevski.
Hasipi: Kemi trajnuar mbi 3 mijë mësimdhënës
Byroja për zhvillimin e arsimit ka analizuar reformat. Nga atje thonë se po evitohen mangësitë e po trajnohen mësimdhënësit.
“Për modulin e parë, parimi i konceptimit të arsimit fillor është trajnuar te 60 këshilltarë, trajnerë nga Zyra e Profesorëve universitarë dhe arsimtarë të shkollave fillore, të cilët kanë kryer trajnime me mësimdhënësit. Kishim 165 trajnime të trajnime rajonale ku janë trajnuar 3 mijë mësues të shkollave fillore.”,- theksoi drejtori i Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, Zeqirija Hasipi.
Në hulumtim ishin të përfshirë 11 komuna e janë anketuar 231 mësues dhe 628 prindër .Vitin e kaluar programi i ri është vendosur për klasën e parë deri të katërtën, nga shtatori janë përfshirë nxënësit e klasës së dytë dhe të pestë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
