Kompania kanadeze nis punën në Strugë, Kovaçevski: Vendi ynë ofron siguri për investime

12.10.2022 16:26

Në zonën zhvillimore teknologjiko-industriale në Strugë....

Në zonën zhvillimore teknologjiko-industriale në Strugë, nisi me punë kompania kanadeze “Magna Mirrors”, e cila prodhon sisteme dhe module automobilistike. Kompania do të punësojë rreth 1000 persona kur të arrijë kapacitetin e planifikuar dhe mbështetja e shtetit për këtë investim është rreth 50 për qind. 

"E pyeta zotin Krispin se cila është arsyeja pse vendosët të investoni këtu, më dha disa arsye. E para, që vendi ynë ka siguri me anëtarësimin në NATO, e dyta idetë tona të qarta për integrimin në BE dhe më e rëndësishmja kualiteti dhe vlera e punëtorëve në Maqedoni. Kompani të mëdha në botë duan të investojnë në një vend që ka të ardhme evropiane e jo në një vend të izoluar.",- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Krispi: Mbështetja na e bëri vendimin më të lehtë

"Maqedonia e bëri këtë proces dhe vendim më të lehtë me mbështetjen që morëm. Ajo që në fillim ishte në letër, u bë realitet.",- theksoi drejtori i Kompanisë “Magna Mirrors”, Dejvid Krispi.

“Magna Mirrors” është lider në prodhimin e pasqyrave të brendshme dhe të jashtme për vetura, si dhe sisteme të avancuara video për monitorimin e lëvizjes, module dhe komponentë për automjete. Investimi që është bërë në Strugë kap shifrën rreth 35 milion euro. (Ilmie Zhaku, TVM2)