Raporti i KE-së për Kosovën, Varhelyi: Kosova ka përmbushur kushtet për vizat
Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave....

Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Kështu thuhet në Pakon e Zgjerimit të Komisionit Evropian për vendet kandidate dhe aspirante për anëtarësim në BE, që u prezantua nga eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi. Në raport theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
“Komisioni vazhdon të qëndrojë pas vlerësimit të korrikut 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave të vitit 2012. Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim i vonuar, i cili është në pritje të vendimit në Këshill.”,- tha eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi.
Varhelyi tha se Komisioni Evropian njeh përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe intensifikimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa do të donin të shihnin zbatimin më të shpejtë dhe efektivë të agjendës reformuese drejt BE-së.
“Mendojmë që duhet të inkurajojmë qeverinë të implementojë reforma, po diskutojmë për vetting-un. Jemi të angazhuar në reformat që duhet të zhvillohen në Kosovë. Jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën, së bashku me shtetet anëtare, të krijojmë një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat policore duhet të angazhohen në terren për të ndihmuar Kosovën. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t'i japim Kosovës të gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces.”,- u shpreh eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi.
Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nga të dyja vendet kërkohet që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët dhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre. (Gyltene Sinani, TVM2)
