Maqedoni
Procesi i vetingut, Shqipëria ndan eksperiencën me RMV-në
12.10.2022 18:12
Dhënia e eksperiencës së Shqipërisë në fushën e vetingut në Maqedoninë e Veriut si dhe procesi i negociatave...

Dhënia e eksperiencës së Shqipërisë në fushën e vetingut në Maqedoninë e Veriut si dhe procesi i negociatave, ishin në qendër të diskutimeve në takimin që ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pati me homologun në Maqedoninë e Veriut, Nikola Tupançeski, dhe zëvendësministrin, Agim Nuhiu. Pas takimit të mbajtur në Tiranë, Manja u ndal tek domosdoshmëria e vetingut në gjyqësor si dhe tek kapitulli 23 në kuadër të negociatave me BE-në.
Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, tha se nuk ka çështje të hapura mes dy vendeve, por vetëm qëllime të përbashkëta.
“Gjyqësori dhe të drejtat themelore janë kyçe për reformat. Pikërisht për këtë është e nevojshme që në periudhën e ardhshme të dy vendet të intensifikojnë bashkëpunimin dhe të shkëmbejnë përvoja, ide dhe mendime. Jam i bindur se dy qeveritë kanë vullnetin për t’i zgjidhur problemet bashkërisht. Forcimi i sistemet ligjore, si dhe rritja e efikasitetit të sistemit gjyqësor, do të kontribuojë në arritjen e standardeve ndërkombëtare të të dyja vendeve.”,- tha ministri i Drejtësisë, Nikola Tupançeski.
Tupançeski e informoi Manjën për procesin e regjistrimit të shoqatave bullgare në RMV dhe masat e marra nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me përgatitjen e Ligjit për shoqatat dhe fondacionet.
LULJETA NDOKA
