Botë

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak viziton sërish Prishtinën, takohet me Kurtin

13.10.2022 14:31

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak...

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po zhvillon një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo është vizita e dytë e Lajçak në Kosovë në më pak se një muaj dhe synon të çojë përpara procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Dy ditë më parë, kreu i ekzekutivit ka biseduar për dialogun edhe me sekretarin amerikan, Antony Blinken. Zëvendëskryeministri Bislimi, ka paralajmëruar për një takim të mundshëm në tetor mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel, po nuk ka dhënë një datë të saktë.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen mes raportimeve mediatike se Franca dhe Gjermania u kanë paraqitur Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.