Takim Xhaferi – Kelin, në fokus bashkëpunimi dhe ndryshimet kushtetuese
Bashkëpunimi ndërpartiak, rajonal, global, si dhe ndryshimet kushtetuese në fokusin e takimit...

Bashkëpunimi ndërpartiak, rajonal, global, si dhe ndryshimet kushtetuese në fokusin e takimit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi me homologen e tij zvicerane Irene Kelin në Shkup. Xhaferi ka informuar Kelin për integrimin e vendit dhe rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese.
“Unë besoj se të gjitha partitë politike janë mjaftueshëm të përgjegjshme dhe të vetëdijshme për rëndësinë e suksesit të këtij procesi për mbajtjen e konferencës së ardhshme ndërqeveritare. Kjo është e rëndësishme veçanërisht tani në këtë krizë energjetike dhe të luftës, të mbështetemi sikurse në rajon ashtu edhe globalisht.”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Ndryshimet kushtetuese, Kelin: Kompromisi nuk ka alternativë
Kryetarja e parlamentit të federatës së Zvicrës, Kelin është shprehur se ndryshimet kushtetuese janë të patjetërsueshme edhe pse bëhet fjalë për një kompromis të rëndë.
“Ngjarje e rëndësishme do të jetë ndryshimi i kushtetutës për vazhdimin e bisedimeve me BE-në. Shpresoj që gjatë javëve në vijim do të zhvillohet debat demokratik, në të cilët do të vërtetohet se çka është më e mira për të ardhmen e vendit. Shpresoj se në parlament do të zhvillohet debat konstruktiv për këtë çështje. Asnjëherë nuk është e thjeshtë të gjendet kompromisi, megjithatë për kompromis nuk ka alternativ.”,- theksoi kryetarja e Parlamentit të Zvicrës, Irene Kelin.
Kelin, fjalim para deputetëve, “të bashkuar para sfidave aktuale”
Kelin iu drejtua edhe deputetëve, të cilët i ftoi të zhvillojnë demokracinë dhe bashkojnë forcat kundrejt sfidave aktuale në vend dhe në mbarë globin pas luftës në Ukrainë.
“Ne futemi nga një krizë në tjetrën dhe është më e vështirë të arrihet kompromisi politik. Si asnjëherë më parë është e rëndësishme të gjendet konsensusi dhe të qenit të bashkuar. Edhe nëse nuk pajtohemi për çështje të caktuara dhe përplasemi për rrugën më të mirë për shtetin tonë, ne nuk duhet të harrojmë vlerat tona të përbashkëta; demokracinë, drejtësinë, paqen dhe të drejtat e njeriut.”,- theksoi kryetarja e Parlamentit të Zvicrës, Irene Kelin.
Bashkëpunimi Maqedoni–Zvicër shikohet si i rëndësishëm edhe në zbatimin e reformave të kërkuara nga BE. Do të intensifikohet edhe ndërveprimi ekonomik duke pasur parasysh potencialin zviceran.
MERAL ISMAILI
