Maqedoni

Raporti i progresit 2022, Bilalli: Raporti, në prizmin e sigurisë

13.10.2022 15:40

Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut është real dhe evidenton avancimet...

Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut është real dhe evidenton avancimet që ka shënuar vendi por edhe mangësitë dhe fushat ku reformat ngecin ose zhvillohen me vështirësi. Sipas profesorit universitar, Mersel Bilalli, raporti duhet parë nga më shumë këndvështrime.

Veç zhvillimeve të brendshme dhe marrëdhënieve me fqinjët, rëndësi të posaçme ka konteksti i sigurisë së rajonit dhe Evropës përballë agresionit rus në Ukrainë, thekson Bilalli.   

“Raportin realisht duhet trajtuar në kuadër të situatës ekzistuese, pra invazionit rus në Ukrainë dhe situatës momentale në Unionin Evropian, dhe pak a shumë hipoteka e saj në lidhje me zvarritjen e Ballkanit Perëndimor, dhe si element i tretë është ajo që bëri Maqedonia edhe me Greqinë edhe me Bullgarinë. Pra sikur ka një përgjegjësi morale dhe politike dhe duhet këtij vendi t’i ndihmohet dhe realisht ka ndodhë.”,- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.

KE shënjestron gjyqësinë e administratën

Sundimi i ligjit, reformat në gjyqësor dhe administratë si dhe aplikimi i sistemit meritor janë difekte që në vazhdimësi evidentohen në raportin e progresit. Bilalli thotë se këto dukuri janë dobësi e vendeve të që dolën nga sistemet komuniste. Për t’i ndryshuar, kërkohet presion dhe angazhim më i madh.

“Edhe pse ka elemente inkurajuese se bëhen do hapa të caktuara përpara por në mënyrë shumë taksative nominohen edhe ato detyra të cilat duhet të kryhen, e që janë të karakterit esencial, sidomos çështja e reformave në gjyqësi, në administratën publike, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe aplikimi efektiv i sistemit meritor për pranim në punë, avancim e kështu me radhë. Edhe pse atë sistemi e kemi, por siç duket anashkalohet nga ndikimet partiake.”,- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.

Në raportin e Brukselit zyrtar thuhet se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar përcaktimin e saj evropian dhe ka bërë progres stabil në implementimin e reformave, por shteti duhet ta mbajë  këtë tempo dhe ta shfrytëzojë procesin e skriningut që të përshpejtojë zbatimin e reformave.

SHPËTIM NUREDINI