Modeli i ri i subvencioneve për bujqit, Kovaçevski: Sigurojmë ushqim për të gjithë

13.10.2022 16:52

Në një situatë kur zinxhiri i furnizimit është i vështirë....

Në një situatë kur zinxhiri i furnizimit është i vështirë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nga viti 2023 Qeveria do t'i paguajë subvencionet bujqve paraprakisht në mënyrë që ata t'i marrin ato kur të kenë nevojë më së shumti. Sipas modelit të ri të subvencionimit, për këtë do të nevojiten edhe 15 milionë euro shtesë.

“Kemi obligim t'i ndihmojmë fermerët që së bashku ta kalojnë këtë krizë dhe të sigurojmë prodhim të qëndrueshëm ushqimor për qytetarët. Duhet të sigurojmë që prodhimi vendas i ushqimit të jetë i qëndrueshëm dhe të ketë ushqim të mjaftueshëm, të prodhojmë mjaftueshëm për shtëpi, por edhe për eksport për të forcuar ekonominë.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Nikollovski: Subvencionet do të paguhen paraprakisht

Sipas ministrit të Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, sistemi i vjetër ka qenë pa obligim që bujqit të dëshmojnë se kanë prodhuar, por siç thotë ai, sistemi i ri është evropian, me numër të shtuar të kontrolleve në terren dhe pa tregti gri.

“Subvencioni bazë do të paguhet paraprakisht për mbajtjen e tokës bujqësore në gjendje të punueshme dhe do të merret nga të gjithë. Në vitin 2023 do të ketë edhe avans për blegtorinë. Ato do të paguhen me kohë dhe do të lidhen me sipërfaqen e kultivuar.”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

Pjesa e dytë e subvencionit do të paguhet pasi prodhimi të jetë dorëzuar në objekte të regjistruara ose nëse përdoret për prodhim vetanak të një produkti final me vlerë të shtuar si djathi.

“Ne u japim përparësi kulturave dhe produkteve të rëndësishme për të siguruar më pak varësi nga importi. Për pagesën 100 për qind të subvencioneve duhet të kenë marrëveshje me përpunuesit e regjistruar.”,- u shpreh ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

Nikollovski paralajmëroi gjithashtu edhe “biznes plan” për shitje, marketing dhe përpunim për bujqit e vegjël. Thirrjet do të jenë të hapura gjatë gjithë vitit në mënyrë që fermerët të mos presin dhe të mund të aplikojnë për blerjen e pajisjeve në çdo moment.

Shuma maksimale do të jetë 600.000 denarë për shfrytëzues, por vetëm për fermerët e vërtetë që janë të regjistruar si të tillë me ligj. (Ersan Pajaziti, TVM2)