Aparati japonez për radiografi ndihmon pacientët me Covid në spitalin e Gostivarit
Me aparatin digjital për radiografi të dhuruar nga Ambasada japoneze.....

Me aparatin digjital për radiografi të dhuruar nga Ambasada japoneze për Spitalin e Gostivarit, nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot janë kryer 8.000 incizime. Kjo u theksua gjatë vizitës që ambasadori Hironori Savada i bëri këtij institucioni.
Kjo aparaturë dhe një e ngjashme për Ambulancën në Çegran dhe një pushimore për shoqatat malore në Vërtok, vijnë pas marrëveshjes së nënshkruar për grand në shkurt të vitit të kaluar mes ambasadorit Savada dhe kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi, tha se kjo është hera e dytë që ata si institucion ndihmohen nga Ambasada e Japonisë përmes Programit Grand për Projekte të Vogla dhe Siguri Njerëzor nga kjo ambasadë.
Aparati digjital për radiografi është grandi i pestë që Ambasadës japoneze dhuron për spitalin e Gostivarit.
“Me këtë donacion Japonia mundësoi të ofrohet ndihmë urgjente shëndetësore dhe incizim të mushkërive për pacientët me Covid 19, pasi ky spital ishte edhe Covid-qendër rajonale për mbi 150.000 pacientë. Në vitin 2021 Covidi ishte shkaku kryesor për mortalitetin në Maqedoninë e Veriut e populli japonez është krenar që i ndihmon popullatës suaj që të ketë shërbime më të mira shëndetësore.”,- deklaroi ambasadori Savada.
Përndryshe, ambasadori japonez në vendin tonë tha se në kuadër të grand programit për projekte të vogla (GGP), ambasada Japoneze nga viti 1996 deri më tani ka financuar rreth 151 projekte shëndetësore, arsimore dhe për ekologji, prej të cilave një e treta janë për institucione mjekësore me vlerë të përgjithshme mbi 8,5 milion euro. (Lulzim Haziri, TVM2)
