Lajçak: Për dialog mes Serbisë dhe Kosovës, ekziston një dritare mundësie deri në vitin 2024
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak......

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, ku është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se në takim, mes tjerash është diskutuar për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tha se ka një kalendar politik unik sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Ai tha se para zgjedhjeve në SHBA dhe BE, ka një mundësi të mirë meqë sipas tij në periudhën e zgjedhjeve prioritetet janë diku tjetër dhe kjo nuk është e mirë për dialogun.
“Ne kemi Aleancën unike të Bashkimit Evropian-Shtetet e Bashkuara të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar, të fokusuar në dialog dhe të gjithë jemi të gatshëm të shohim dialogun duke prodhuar normalizim. Kjo është vërtet mirë sepse kur kemi zgjedhje evropiane dhe kemi zgjedhje në SHBA, atëherë prioritetet janë diku tjetër dhe nuk është mirë për dialogun. Prandaj nuk do të thosha se viti i ardhshëm është vendimtar, që kam thënë më shumë se një herë që kemi këtë dritare mundësie, e cila do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet në SHBA në vitin 2024. Dhe mendoj se është përgjegjësia jonë të mos e humbim këtë dritare të mundësive. Dhe e dyta, unë jam ai që jap vlerësimin e dialogut, kjo është pjesë e mandatit tim dhe e respektoj plotësisht mandatin e komisionarëve kur bëhet fjalë për vlerësimin e progresit dhe procesit të zgjerimit.”,- tha i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kjo është vizita e dytë e Lajçakut në Kosovë në më pak se një muaj dhe synon të çojë përpara procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen mes raportimeve mediatike se Franca dhe Gjermania u kanë paraqitur Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
