Shtyhet miratimi i amendamenteve kushtetuese
Shtyhet në afat të pacaktuar séanca e tridhjetë, në të cilën duhej të miratohen tetë amendamentet Kushtetuese...

Shumica parlamentare nuk arriti t’i mbledhë në Kuvend 82 deputetët e saj, të nevojshëm për të miratuar ndryshimet kushtetuese.
Më herët, Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, i verifikoi të gjitha propozim amendamentet e Kushtetutës.
Gjatë verifikimit të amendamenteve BDI mbështeti propozim amendamentet kushtetuese, me koncentrim të posacëm në amendamentin 40, i cili parasheh miratimin e një ligji kushtetues për Gjykatën Kushtetuese, me të cilin pretendon të rregullojë vendimmarrjen sipas parimit të Badenterit, për ligje që janë miratuar me votim të dyfishtë, edhe në këtë institucion.
“Besojmë se në periudhën e cila vjen do të kontribuojë që qytetarët në vecanti shqiptarët të krijojnë pak më shumë besim në institucionin Gjykatë Kushtetuese, për të cilën sic e thashë qytetarët e vendit akoma kanë rezerva të theksuara dhe kanë arsyet e tyre për të pasur dilemat sidomos kur është fjala për mënyrën e marrjes së vendimeve në këto institucione” – tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.
Sipas zë/ministres së drejtësisë Biljana Boshkovski edhe miratimi i këtij ligji propozohet me rekomandim të Komisionit të Venecias, i cili realisht do të zëvendësojë Rregulloren për punë Gjykatës Kushtetuese.
“Ligji për Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me menyrën e punës dhe procedurën para Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ato nuk kanë të bëjnë, përkatësisht nuk janë të lidhura me amendamentin 10, paragrafi i dytë, përkatësisht me ligje të cilat drejpërdrejtë kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale si dhe simbolet” – tha Biljana B. Boshkovski, zëv/ministre e drejtësisë.
Për deputetin Pavle Trajanov me rëndësi është që gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese të kenë integritet ndërsa vendimmarrja te jëtë publike.
“Mund të nxjerim përfundim se opinioni duhet të ndjek drejperdrejt punën e Gjykatës Kushtetuese. Ai është institucion i rëndësishëm, rojtari i Kushtetutës dhe është mirë që qytetarët dhe ekspertët të shohin se si dhe në bazë të c’gjëje i marrin vendimet” – tha Pavle Trajanov, deputet i Lidhjes Demokratike.
Veç kësaj, me ndryshimet Kushtetuese rregullohet martesa si bashkësi ekskluzivisht mes një burri dhe një gruaje; krijohet mundësi kushtetuese që në Maqedoni me ligj te mund të themelohen zona ndërkombëtare financiare; Banka Popullore riemërtohet në Banka e Republikës së Maqedonisë; rritet pavarësia e Entit shtetëror për revision; përcaktohet niveli i deficitit buxhetor në 3% të BPV, ndërsa borxhi public nuk guxon të tejkalojë 60% të BPV; me amendamentin 38 rritet pavarësia e Këhillit Gjyqësor duke rritur numrin e anëtarëve nga rradhët e gjykatësve dhe mënjanimin e ministrit të drejtësisë dhe kryetarit të Gjykatës Supreme si anëtarë sipas funksioni; ndërkaq me amendamentin 39 i shtohen kompetencat Gjykatës Kushtetuese që të merr vendime rreth padive kushtetuese të ngritura nga persona fizik dhe juridik kundër organeve shtetërore, të cilat pretendohet se kanë shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe të merr vendime për ankesat kundër vendimeve të Këshillit Gjyqësor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
