Putin, nuk ka nevojë për sulme masive ajrore në Ukrainë

14.10.2022 20:56

Presidenti rus, Vladimir Putin...

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se nuk sheh nevojë për të vazhduar sulmet masive ajrore, ndërsa mobilizimi i trupave ushtarake për luftën në Ukrainë do të përfundojë brenda dy javësh.

Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, Putin ka thënë se Rusia ka pasur gatishmëri për të vazhduar bisedimet për dhënie fund të luftës, ndonëse ato duhet të mbahen përmes një ndërmjetësuesi ndërkombëtar, nëse në tavolinë do të jetë edhe pala ukrainase.

Putin, i cili ka thënë se do të ishte gati për të përdorur edhe armën bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë – ka paralajmëruar për një “katastrofë globale” në rast të përleshjes së drejtpërdrejtë në mes të trupave të NATO-s dhe Rusisë. Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka nevojë që të zhvillohen bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden tani për tani.

Aktualisht “nuk ka nevojë për sulme masive”, sepse shumica e shënjestrave janë goditur dhe “ne nuk i kemi vënë detyrë vetes që të shkatërrojmë Ukrainën”, ka thënë Putin.

Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për afrimin e një “dimri brutal” në Ukrainë, pasi sulmet e vazhdueshme ruse me raketa kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe shëndetësore.