Maqedoni

Trafostacionet: A duhet të rrethohen për të mbrojtur qytetarët?

24.01.2015 15:13

Shpesh jemi dëshmitarë të trafostacioneve të ndërtuara ngjitur me pallatet tona ose në oborrin e ndonjë shkolle...

Në shumicën e rasteve të bie në sy se ato nuk kanë kurrfarë rrethimi që do tu pamundësonte qytetarëve të afrohen.
 
Situata bëhet më shqetësuese kur pranë këtyre trafostacioneve luajnë fëmijët tanë. Prindërit shqetësohen se mungesa e ndonjë teli apo muri rrethues, mund të shkaktojë ndonjë fatkeqsi. 
 
“Jo nuk është rrethuar trafostacioni këtu tek ne. Falë zotit deri më tani ska ndodhur ndonjë problem të madh, por mendoj se duhet te rrethohet me ndonjë send trafostacioni”, shprehet qytetari.
 
“Duhet të ketë gardh  anemban. E pash dhe mendoj se duhet të ketë gardh këtu, të jetë e rrethuar  sepse fëmijët kalojnë  dhe luajnë këtu dhe është vend shumë frekfent”, shprehet qytetari.
 
“Vlersoj se nuk është aspak sigurt këtu, mendoj se duhet urgjentisht të rrethohet ky trafostacion sepse ju i shikoni edhe tani se fëmijët për ditë luajn këtu, te parku i shkollës,  ka fëmijë të cilat janë në qendrimin ditorë dhe ka një foshnore në afërsi të këtë trafostacion”, shprehet qytetari.
 
Përveç kësaj objektivi  i kameres  filmoi edhe pamje të çuditëshme si ky trafostacion i ndërtuar para disa vitesh ndërmjet këtyre dy barakave. Ai sot ndan tokën me një kotec pulash të ndërtuar nga një banor i shtëpisë aty pranë. Por askush nuk shqetësohet për pulat që dikush i rrit në mes të qytetit, por të gjithëve u pengon  zhurma  që del prej trafostacionit. 
 
“Trafostacioni  që e shihni është këtu prej vitit 1963, kam dashur ta  blej tokën ku është ndërtuar ky trafostacion, por nuk më lejuan në atë kohë. Tani, shpesh herë, natën nuk flej për shkak të zhurmës  se madhe e cila shkaktohet nga trafostacioni”, shprehet qytetari.
 
Nga EVN e pranojnë gjendjen faktike në terren. Shumë trafostacione janë ngjitur me pallatet apo shtëpitë. Por nga EVN thonë se trafostacionet janë ndërtuar në vendin e duhur para shumë viteve dhe më pas pranë tyre janë ndërtuar pallatet e reja , duke mos respektuar planin urbanistik.  
 
“Trafostacionet apo objekte të cilat ndërtohen nga ana e EVN-së, janë në përputhshmëri me rregulloret e planit urbanistik dhe markicës të ndërtimit që natyrisht  që janë nën kompetencë  të komunës përkatëse.  Në asnjë moment EVN- ja nuk ndërton ndonjë objekt me këtë rast trafostacione të cilat nuk është në miratimin apo pëlqimin e komunës, mirëpo kemi raste të ndryshme ku plani urbanistik nuk respektohet dhe kemi ndërtime pa leje dmth ndërtime ilegale  që do të thotë se nuk respektohet rregullorja e distancës atëherë natyrisht se përballemi me problematikat te tilla”, shprehet Vlera Gjakova nga EVN Maqedoni.
 
Trafostacionet që shpërndajnë energjinë elektrike nëpër shtëpitë tona, duhet të vendosen po pranë shtëpive tona por jo edhe ngjitur shtëpive.
 
Por për këtë afërsi, nuk e ka fajin EVN por ata që ndërtojnë pa asnjë kriter objektet, duke mos u shqetësuar fare se papritmas trafostacioni elektrik, ngjitet me murin e ndonjë pallati.
 
Dhe derisa askush nuk mban llogari kur jep leje për ndërtimin e pallateve për të vërtetuar a ka apo jo ndonjë trafostacion në afërsi, do të vazhdojmë të shqetësohemi për zhurmën që dëgjojmë natën dhe për sigurinë e fëmijëve tanë, që kur dalin në oborrin e pallatit, e kanë patjetër të luajnë pranë trafostacionit. 
 
REXHEP QAMILI