Ukrainë, sulme të reja ruse në Kiev dhe qytete tjera

18.10.2022 11:06

Sulme të reja ajrore kanë goditur Kievin....

Sulme të reja ajrore kanë goditur Kievin dhe qytetet tjera ukrainase, duke goditur zonat e banimit dhe infrastrukturën energjetike, kanë thënë zyrtarët dhe dëshmitarët.

Kyrylo Tymoshenko, zëvendësudhëheqës i Presidencës ukrainase, ka thënë se janë regjistruar tri sulme ruse në një objekt të energjisë në veri të Kievit.

Derisa Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se sulmi është kryer në “infrastrukturën kritike” dhe se punëtorët e energjisë janë duke shkuar në vendin e sulmit.

Trupat ruse kanë bombarduar edhe objektet në Dnjipro, Zhitomir si dhe në Harkiv. Shpërthimet janë dëgjuar edhe në Mikollaiv, kanë thënë zyrtarët lokalë, një ditë pasi Rusia ka nisur një valë sulmesh me dronë kamikazë, duke lënë të vdekur të paktën shtatë persona.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka njoftuar se më shumë se 100 dronë të tillë kanë goditur Ukrainën në javën e kaluar, duke goditur stacionet e energjisë, urat dhe objekte tjera.

Ndërkohë Kompania shtetërore për energji bërthamore në Ukrainë, Enerhoatom, ka akuzuar Rusinë për “kidnapim” të dy punëtorëve në centralin bërthamor në Zaporizhja.