Kuvend, ndryshime në ligjet për themelim të shoqatave

18.10.2022 11:21

Deputetët e pushtetit dhe opozitës...

Deputetët e pushtetit dhe opozitës njëzëri dhanë mbështetje që me procedurë të shkurtër Kuvendi të miratojë ndryshimet ligjore me të cilat ndalohet formimi i shoqatave dhe partive me emra dhe ideologji kontestuese.

Me 84 vota “për” dhe asnjë kundër apo abstenim, deputetët e pushtetit dhe opozitës dhanë mbështetjen e tyre pas procedurës së shkurtuar për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqata dhe fondacione, të parashtruar nga VMRO-DPMNE.

Propozimin e ka arsyetuar Rashela Mizrahi, duke theksuar se: “Në shtatë muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë të hapjes së të a.q. klube kulturore të emërtuara sipas figurave të diskutueshme, nazistë dhe fashistë. Ky ligj duhet t’i japë fund hapjes së shoqatave dhe fondacioneve të tilla.Me ndryshimet, propozohet që emrat, mbiemrat, pseudonimet, shkurtesat dhe inicialet e personave të cilët në çdo bazë, mënyrë apo formë në të kaluarën kanë qenë të lidhur me intolerancë racore, fetare, kombëtare, etnike dhe të tjera, intoleranca, urrejtja, gjenocidi, ekstremizmi, përhapja ose mbështetje të fashizmit, nacizmit, nacionalsocializmit dhe Rajhut të Tretë”, tha Mizrahi.

Sipas tekstit të propozuar, organizatat, shoqatat, fondacionet, aleancat dhe format e tjera të asociimit të regjistruara në përputhje me dispozitat e Ligjit për shoqata dhe fondacione janë të obliguara që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore, të harmonizojnë emrin dhe/ose titullin, qëllimet dhe aktivitetet sipas dispozitave të përcaktuara. Kuvendi, po ashtu njëzëri, me gjithsej 76 vota “pro”, pa asnjë kundër apo abstenim, ka dhënë mbështetje pas procedurës së shkurtuar për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për partitë politike, të paraqitur nga deputetët e partive në pushtet.

Ndryshimet ligjore vijnë pas hapjes së klubeve bullgare në vend me emrat “Vanço Mihajllov” më 16 prill në Manastir dhe “Mbreti Borisi i Treti” më 7 tetor në Ohër.