Futboll
UEFA: Fitorja e Shqipërisë ndaj Portugalisë, befasia e vitit
24.01.2015 15:56
Fitorja e Shqipërisë në Portugali renditet te pesë befasitë më të mëdha nga UEFA sa u përket ndeshjeve eliminatore të vlefshme për kampionatin europian që u zhvilluan gjatë vitit 2014...

Institucioni më i lartë i futbollit europian, në një shkrim dedikuar surprizave në eliminatore, të publikuar dje në faqen zyrtare, ka përzgjedhur pesë ndeshje.
UEFA i ka quajtur si më shokueset për nga rezultatet që kanë prodhuar, teksa në krye të listës është triumfi i Kombëtares kuqezi në Lisbonë kundër Portugalisë, falë supergolit të Bekim Balajt.
Ky triumf ishte historik për Shqipërinë, sepse kurrë më parë nuk kishte mundur një skuadër me kaq peshë në futbollin europian.
Ndërkohë, lista e UEFA-s për takimet surprizë të vitit 2014 vijohet me triumfin e Ishujve Faroe ndaj Greqisë në Athinë, fitoren e Polonisë me rezultatin 2-0 ndaj kampionëve të botës, Gjermanisë, atë të Sllovakisë kundër Spanjës dhe Islandës me Holandën në Rejkjavik.
NDESHJET MË BEFASUESE TË VITIT 2014
Portugali-Shqipëri 0-1
Greqi-Ishujt Faroe 0-1
Poloni-Gjermani 2-0
Sllovaki-Spanjë 2-1
Islandë-Holandë 2-0
