Maqedoni
Shumica parlamentare, Mickoski punon për një shumicë të re
18.10.2022 15:14
Paralelisht me qeverinë edhe VMRO–DPMNE po punon në krijimin e një shumice të re që do të shpërbënte kuvendin...

Paralelisht me qeverinë edhe VMRO–DPMNE po punon në krijimin e një shumice të re që do të shpërbënte kuvendin, paralajmëron kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, në debatin televiziv të servisit publik. Mickovski tha se bëhet fjalë për disa deputetë, por gjithçka po bëhet me vëmendje që mos të ketë ripërsëritje të tentativës së dështuar për rrëzimin e qeverisë me tërheqjen në momentin e fundit të deputetit të Besës Kastriot Rexhepi.
“Edhe ne mund të punojmë për një shumicë tjetër e cila do ta shpërbëjë këtë kuvend dhe kjo është legjitime që VMRO të punojë. Normalisht që ka hapa konkret, normalisht se po punojmë, por kemi kujdes që tani mos të na ndodh një Kastriot i ri, të bëhet kjo me shumë kujdes, të mos kuptojë dikush pesë minuta në dymbëdhjetë se zemrën e ka në Bruksel ndërkaq mendjen në Uashington. Bëhet fjalë për disa deputetë, plus deputetët e VMRO–DPMNE-së dhe koalicionit.”,- deklaroi kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickoski.
Mickoski: Do të korrigjojmë procesin negociues
Kreu i VMRO – DPMNE –së Mickovski kritikoi qeverinë për rrugëtimin europian të vendit se nuk ka nisur bisedimet pasi ka pranuar të ndryshojë kushtetutën. Mickovski thotë se me ardhjen në pushtet do të rikorigjojnë pozicionet në procesin negociues.
“Nëse do të nisnin bisedimet pse do të nevojitej ndryshimi i kushtetutës, s’do të kishim kërkesa shtesë. Ja Shqipëria nuk ka kushte, nisi skriningun dhe vazhdon më tej, që të hap klasterë dhe kapituj të atyre klasterëve, ndërkaq ne kemi kusht shtesë, kjo do të thotë se ne nuk kemi nisur bisedimet. Kjo do të thotë se bënë gabim, bënë përjashtim dhe nuk fituan asgjë mbrapsht. Atë që ata e gabuan, do të duhet ta korrigjojmë. Kjo është detyra e qeverisë së ardhshme, kjo është detyra e VMRO–DPMNE–së si qeveri e ardhshme, që këtë ta rikorrigjojmë dhe negociojmë sërish.”,- u shpreh kryetari i VMRO–DPMNE–SË, Hristijan Mickoski.
Kritika adresuar qeverisë pati edhe për mungesën e planit afatgjatë në fushën e energjetikës, mos mirëmbajtjen dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. Sipas Mickovskit, nëse mirë menaxhohej sistemi energjetik Maqedonia s’do të ishte e varur nga rryma elektrike e importuar, do të përmbushte kërkesat e brendshme, madje do të eksportonte rrymë.
MERAL ISMAILI
