Maqedoni
Zaev: Nuk kam ndërmend të kandidoj për president
18.10.2022 16:33
Ish-kryeministri Zoran Zaev nuk ka ndërmend të kthehet në politikë...

Ish-kryeministri Zoran Zaev nuk ka ndërmend të kthehet në politikë. Kjo ishte përgjigjja e tij në pyetjen e një gazetari në Tetovë, ku mori pjesë në një panel diskutimi lidhur me krizën energjetike dhe inflacionin.
“Nuk kam ndërmend të kandidoj për president. Unë kam njëzet vjet në politikë, do ta ndihmoj këtë dhe çdo Qeveri të ardhshme. Dua që njerëzit e mi të kenë sukses, dua që vendi të ketë sukses.”, tha ish kryeministri Zoran Zaev.
Kriza energjitike, Zaev: përqëndrim në prodhimin vendor
Zaev, ka komplimentuar ndërkohë pasardhësin e tij, Dimitar Kovacevski, për mënyrën se si po menaxhon krizën energjitike. Porositi ekzekutivin aktual të përqëndrohet në prodhimin e energjisë vendore
“E para që bëri kryeministri Kovaçevski ishte që t'i sigurojë fqinjët se nuk do të kishte mbyllje të kufijve për eksportin e energjisë elektrike nëse do na duhej shtesë. Unë si kryeministër mund të kisha bërë më shumë .. Të investojmë në energji. Kemi diell për fotovoltaikë, kemi erëra në 20 lokacione për turbinat e erës, kemi mundësi me interkonektor të kemi diversifikim të gazit, të mos varemi vetëm nga Gazpromi. Do të kemi gaz nga Azerbajxhani, Katari, Amerika përmes interkonjektorit me Greqinë. Zhvillohet më tutje drejt Kosovës drejt Serbisë kudo. Këto janë investime të vlefshme në vazhdimësi.”, tha Zaev.
Rritja e çmimeve, Bexheti: të veprojë shteti, kontrolle të rrepta
Rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti ka komentuar ndërkohë trefishimin e cmimeve të cilin nuk e sheh si veprim të drejtë
“Kjo nuk është në rregull, në këto kushte dhe rrethana shteti duhet të funksionojë në të ashtuquajturën kontrollimin dhe menaxhimin e çmimeve... Marzha nuk është e mjaftueshme, ka shtete në këto situata madje që mendojnë për konfiskime të superfitimeve, në kushte lufte dhe kushte krize këto ndodhin.”, tha rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti.
Sipas tij në vend ka kompani që në këto situata tregojnë superfitime të mëdha dhe pika e dobët për momentin për të është mos mbajtja nën kontroll pikërisht e këtyre kompanive që përfitojnë nga kriza për të fituar miliona.
VISAR SADIKI
