Maqedoni
LSDM: Ne nuk lejojmë krizë kushtetuese
18.10.2022 16:54
Zgjedhja e antarëve të ri në Gjykatën Kushtetuese ka përplasur sërish pushtetin dhe opozitën....

Zgjedhja e antarëve të ri në Gjykatën Kushtetuese ka përplasur sërish pushtetin dhe opozitën. Nga LSDM, thonë se mazhoranca nuk do të lejojë që VMRO-DPMNE të bllokojë zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues dhe të shkaktojë krizë kushtetuese. Koordinatori i LSDM-së Jovan Mitrevski thotë nuk është e paprecedentë që Kuvendi do të votojë për dy nga tre kandidatët e propozuar në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime. Sipas tij duhet bërë dallimi ndërmjet zgjedhjes së gjyqtarit kushtetues dhe miratimit të ligjeve apo amendamenteve.
“Kur bëhet fjalë për çfarëdo lloj zgjedhjeje, atëherë nuk ka amendamente, vetëm zhvillohet debat në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime për secilin veç e veç dhe votohet për secilin veç e veç. Kryetari i Komisionit e njoftoi kryetarin e kuvendit se diskutimi i këtyre dy kandidatëve ka përfunduar dhe është votuar me shumicë votash që ata të vazhdojnë në procedurë të mëtutjeshme.”, tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Pushteti po shekel rregulloren dhe kushtetutën
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE theksojnë se fillimisht duhet të përfundojë debati për të gjitha propozimet në Komision dhe të ketë votim përfundimtarë dhe më pas të kalojnë në seancë plenare propozimet. Sipas tyre për mazhorancën nuk janë të rëndësishme ligjet, por kombinimet partiake dhe pazaret.
“Nuk është problem për VMRO-DPMNE-në dhe grupin e deputetëve të saj që dikush nuk ka punuar 11 apo 12 muaj pas asaj seance, për më tepër vetë pika ka të bëjë me zgjedhjen e tre gjyqtarëve kushtetues. Ne kemi 9 propozime, disa nga ato propozime janë shqyrtuar, disa nga ato propozime janë votuar, por propozimi në tërësi me raportin duhet të votohet.”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
Në seancë plenare,ndodhen dy propozimet Fatmir Skender dhe Tatjana Vasic Bozaxhieva të propozuar nga shumica, ndërsa për miratimin e kandidaturës së Lubomir Joveskit është duke u debatuar në komisionin amë tashmë një kohë të gjatë.
NAIM RAMADANI
