BDI mbështet ndryshimet e propozuara kushtetuese
Bashkimi Demokratik për Integrim përkrah ndryshimet e propozuara kushtetuese nga shumica qeverisëse që kanë për qëllim përforcimin e sundimit të ligjit...

Bashkimi Demokratik për Integrim përkrah ndryshimet e propozuara kushtetuese nga shumica qeverisëse që kanë për qëllim përforcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe disiplinën financiare.
Amendamentet kushtetuese u mbështetën nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim para se ato të miratohen nga Qeveria e vendit. Po këto amendamente, në fazën e parë u votuan edhe në Kuvend nga 82 deputetët e shumicës parlamentare, përfshirë edhe 20 deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në vijim të debatit publik mbi ndryshimet kushtetuese, Bashkimi Demokratik për Integrim ka insistuar që këto amendamente të diskutohen dhe përputhen me pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe Komisionit të Venedikut, me ç'rast procedura miratuese u zgjat gjer në adaptimin e plotë të amendamenteve me pritshmëritë e partnerëve tanë ndërkombëtar.
Asnjë e drejtë kombëtare nuk cënohet nga këto amendamente. Në aspekt të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në aktin më të lartë ligjor në vend, Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që Kushtetuta e Maqedonisë, e ndryshuar pas luftës së vitit 2001, duhet të zbatohet në përpikëri dhe me respekt të plotë për provizionet kushtetuese nga partitë politike, në veçanti nga përfaqësuesit e komunitetit më të madh në vend.
Në fund, Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh keqardhje për mungesën e opozitës në Kuvend gjatë këtij procesi të rëndësishëm për vendin dhe përsërit thirrjen për rikthim të pjesës së deputeteve që po bojkotojnë Kuvendin në mënyrë që t’i bashkëngjiten një të tretës së opozitës e cila po vepron në Kuvend.
