Botë

Rama letër shteteve të K-së për raportin e Dick Martyt

18.10.2022 18:44

Në përpjekje të forta për të bindur ndërkombëtarët që raporti i Dick Marty...

Në përpjekje të forta për të bindur ndërkombëtarët që raporti i Dick Marty si i pabazuar në prova duhet hedhur poshtë, kryeministri Rama akuzon opozitën si bashkëpunëtore me segmentet e caktuara brenda dhe jashtë vendit, në një ngjarje të tillë, që siç thotë ai ka damkosur shqiptarët. 
 
“E djathta e rublave, ajo palo opozitë, jam i bindur që ka gisht në një mënyrë apo tjetër, Pse ata e votuan, se janë ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën.”,- tha kryeministri Edi Rama.
 
Pas fjalimit të ashpër në Asamblenë e KiE, Rama i ka drejtuar një letër krerëve të Këshillit të Europës, të cilëve i bën thirrje për heqjen e njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë.
 
“Shpresoj në mbështetjen tuaj, për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues, si korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të na përndjekin.”,- theksoi Rama. 
 
Kreu i qeverisë ka insistuar edhe njëherë në marrjen e masave për shfuqizimin e raportit të Dik Marty, ku UÇK akuzohet se kryer trafikim të organeve njerëzore.
 
Në këtë mënyrë, sipas tij, mund të bëhet një korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit përndjekin Shqipërinë.
 
“Nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”,- u shpreh Rama.
 
LULJETA NDOKA