Botë

Rusia bombardon Kievin, një grua shtatzënë në mesin e tetë viktimave

18.10.2022 19:06

Bombardimet ruse në Kiev kanë shkatërruar objektet energjetike, qendrat urbane në të gjithë qytetin...

Bombardimet ruse në Kiev kanë shkatërruar objektet energjetike, qendrat urbane në të gjithë qytetin, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe ndërprerje të furnizimit me ujë, vetëm një ditë pasi kryeqyteti u mbush me një tufë dronësh vetëvrasës. Raketat kanë shënjestruar edhe objekte banimi, duke vrarë tetë civil në mesin e tyre një grua shtatzënë dhe bashkëshortin e saj. 
 
Sulme ka pasur edhe në lindje të  Kharkivit, në jug të Mykolaivit dhe rajonet qendrore të Dnipros dhe Zhytomyrit. 
 
"Ne pamë se si u sulmuan këto shtëpi. Befas filluan të sulmonin, disa civil janë vrarë.”,- tha një banore e Kievit.
 
“Kjo që ndodh është e tmerrshme, mund të them se është akt terrorist. E dëgjova në gjashtë të mëngjesit shpërthimin, nuk mund ti mbyllja më sytë, më pas ndodhi shpërthimi i dytë. Këtu gjithçka vjen papritur.”,- u shpreh një banor i Kievit.
 
“Objektivi: shkatërroni të gjithë infrastrukturën e Ukrainës. Shkatërroni infrastrukturën në qytetin tonë të lindjes. Ata lanë njerëzit të ngrijnë në dimër. Ata lanë njerëzit pa energji elektrike. Rusët duan të bëjnë katastrofë humanitare në vendlindjen tonë.”,- deklaroi kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko.
 
Rusia nisi sulme ndëshkuese për të cilat vëzhguesit ushtarakë kanë thënë se duket se janë përgjigja e Moskës ndaj humbjeve në fushën e betejës. Zelensky e përshkroi shënjestrimin e përsëritur të infrastrukturës energjetike si “një lloj tjetër sulmesh terroriste ruse”.
 
“Një lloj tjetër sulmesh terroriste ruse: synimi i energjisë dhe infrastrukturës kritike. Që nga 10 tetori, 30% e termocentraleve të Ukrainës janë shkatërruar, duke shkaktuar ndërprerje masive në të gjithë vendin. Nuk ka hapësirë për negociata me regjimin e Putinit.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Rusia nuk ka në plan të ndalojë ofensivën pasi mobilizimi për burrat në Moskë vazhdon. Grupe qytetarësh dërgohen  pa dëshirën e tyre në qendrat e trajnimit luftarak nga një zyrë rekrutimi. Ata stërvitën për beteja në Ukrainë, të cilat filluan më 24 shkurt duke marrë jetën e mijëra njerëzve.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU