Dialogu Kosovë-Serbi, Gabriel Eskobar për vizitë në Prishtinë

19.10.2022 11:15

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara...

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë këtë të mërkurë në Prishtinë, për të zhvilluar takime me krerët shtetërorë.

Vizita e Escobarit në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania thuhet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Për herë të fundit, Escobar vizitoi Kosovën më 24 gusht, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ende është e paqartë se cilat tema do të jenë në agjendën e bisedimeve gjatë vizitës së Escobarit, por SHBA-ja – pavarësisht se nuk është pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por e mbështetë atë – ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shmangin tensionet dhe të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur deri më tani në Bruksel dhe të intensifikojnë bisedimet.

Dialogu për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi.

Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë.