Kosova e Serbia përplasen në Këshillin e Sigurimit, ndërhyn edhe Rusia
Thirrjet që Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse....

Thirrjet që Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse dominuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Në takimin ku u prezantua raporti 6-mujor për Kosovën, palët akuzuan njëra-tjetrën për nxitje tensionesh.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç, tha se “veprimet e njëanshme të Prishtinës kanë thelluar ndarjet etnike”.
Ai akuzoi Kosovën për mospërmbushjen e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe për siç tha “sabotimin e përpjekjeve paqësore të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian”.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwartz tha se Kosova ngul këmbë që Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve që i ka nënshkruar, përfshirë atë për lëvizjen e lirë dhe përdorimin e targave të makinave. Gërvalla theksoi se kërcënimet për paqen dhe qëndrueshmërinë bëhen nga Beogradi dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar destabilitet në fund të muajit kur edhe përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e targave të makinave.
“Serbët ekstremistë po ndjekin dhe po frikësojnë në mënyrë brutale bashkëqytetarët e tyre duke ua djegur edhe veturat që kanë ndërruar targat”, tha ajo.
Gërvalla kritikoi Beogradin për “harmonizim të politikave me Rusinë”, the theksoi se “Serbia është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i Evropës, pas Rusisë”.
Kjo nxiti reagimin e përfaqësuesit rus Vasily Nebenzya.
“E këshillojmë zonjën Gërvalla që të mos përpiqet të filozofojë dhe të bëjë përpjekje të bëjë analiza gjeopolitike të situatës, por të merret me situatën e sigurisë në Kosovë e cila po përkeqësohet”, tha ai.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin tensionet për targat dhe të arrijnë një marrëveshje e bazuar tek njohja reciproke. Ai kërkoi që Këshilli i Sigurimit të nisë procedurat për përmbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, qëndrim i mbështetur edhe nga përfaqësuesi i Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Shefja e Misionit të OKB-së, Caroline Ziadeh, tha se përshkallëzimi i tensioneve gjatë muajve të fundit rrezikoi përparimet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
