Maqedoni

Mungon mamografi në Kumanovë, Sali: Vjen në fund të vitit, presim prokurimin

19.10.2022 14:00

Ka 5 vjet që spitali në Kumanovë nuk ka aparat mamografik, e pacientet detyrohen të shkojnë në Shkup...

Ka 5 vjet që spitali në Kumanovë nuk ka aparat mamografik, e pacientet detyrohen të shkojnë në Shkup ose në komunat fqinje, për kontrolle. Që nga 2017, aparati i vjetër - një doncion edhe ai - pushoi së funksionuari pas përdorimit 21 vjeçar. 
 
Ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, siguroi se aparati i ri do të arrijë në këtë spital deri në fund të vitit. Vonesa, sipas tij, ka të bëjë me procedurën e prokurimit, që nuk bëhet vetëm për këtë spital por për 12 institucione publike shëndetësore.
 
“Ende i qëndroj premtimit se mamografi do të arrijë në Kumanovë deri në fund të vitit, kjo është e sigurt. Është mbështetja e spitalit nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ka procedura të cilat duhet t'i respektojmë për të realizuar prokurimin publik, i cili është shumë më i madh se vetëm sigurimi i mamografit për Kumanovën.”,- tha ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
 
Nis karvani i vaksinimit “Bashkë të mbrojtur – vaksinat funksionojnë”
 
Deklaratat ministri Sali i dha teksa promovoi nga Kumanova nisjen e karvanit të vaksinimit që mbahet nën moton “Bashkë të mbrojtur – vaksinat  funksionojnë”. Fushata ka për qëllim informimin e qytetarëve rreth të gjitha llojeve të vaksinimit, që nga ai i rregullt tek fëmijët, vaksinimi kundër gripit sezonal si dhe kundër COVID-19. Karvani i vaksinimit organizohet me mbështetjen e USAID-it, UNICEF-it  dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. I njëjti do të realizohet në 24 vendbanime  të tjera  në të gjithë vendin. 

FATLUM AQIFI