Maqedoni
Kufizim i kamatave të përmbaruesve, Zyberi: Qytetarët e paguajnë borxhin shumëfish
19.10.2022 14:23
Përmes iniciativës për ndryshime në Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore dhe Ligjin për Ndërmjetësim...

Përmes iniciativës për ndryshime në Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore dhe Ligjin për Ndërmjetësim, të dorëzuar në Qeveri, Avokati i Popullit kërkon që të ndërpritet praktika që debitorët të jenë robër të kamatave dhe interesave para përmbaruesve. Si rezultat i parashtresave të shumta nga ana e qytetarëve në këtë fushë, Avokati i Popullit propozon që kamata ndëshkuese tek përmbaruesi të mos jetë më e madhe se sa borxhi kryesor.
“Pa përkufizimin-limitimin e kamatës ndëshkuese, qytetarët nuk mund të lirohen nga borxhet që kanë se nuk janë në gjendje të paguajnë menjëherë borxhin. Kjo në fakt i shndërron qytetarët në debitor të përjetshëm në robër të kamatave dhe interesave para përmbaruesve. Interesi ndëshkues-kamata ndëshkuese, nuk ka limit që do të thotë në mënyrë permanente ajo rritet. Duke pasur parasysh se një person mund të ndajë 1/3 e të ardhurave dhe ato, p.sh. mund të jenë 10 mijë denarë në rastet më të mira. Pagesa e 10 mijë denarë e një rate tek përmbaruesi, mund të zgjasë 20 vite deri sa të bëhet pagesa, që do të thotë 20 vite do të ec interesi ndëshkues dhe kjo e bën shumën e pagesës që debitori e paguan kreditorit përmes përmbaruesit, është e palimituar dhe ajo shndërrohet në dyfish, trefish më shumë se sa borxhi kryesor.”,- tha avokati i popullit, Naser Zyberi.
Zyberi pret që Qeveria dhe deputetët të shqyrtojnë me seriozitet iniciativën në fjalë dhe e njëjta për një kohë të shkurtër të jetësohet në praktikë, posaçërisht tash në kohë krize ekonomike ku rrezikohet mirëqenia e qytetarëve.
FLORIJE BELULI KAMBERI
