Maqedoni

Kuvendi zgjedh dy gjykatësit kushtetues, Pockova: Procedurë e keqe dhe gjykatës partiak

19.10.2022 14:41

Fatmir Skender, jurist turk nga Papraniku i Vogël i Komunës Qendër Zhupë...

Fatmir Skender, jurist turk  nga Papraniku i Vogël i Komunës Qendër Zhupë, i cili vjen nga radhët e gjykatësve në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe Tatjana Vasiç Bozaxhieva, juriste nga Shkupi, e cila vjen nga Ministria e Drejtësisë, si këshilltare shtetërore për legjislacionin civil do të jenë gjykatësit e ri në Gjykatën Kushtetuese.
 
Opozita e kryesuar nga VMRO DPMNE kundërshtoi procedurën në tërësi ndërkaq kandidatët i quajti gjykatës të ngjyrosur politikisht që në fillim.
 
“Jemi dëshmitarë për procedurë të keqe për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues. Jemi dëshmitarë se i jepet qasje partiake zgjedhjes së gjykatësve kushtetues. Dhe, jemi dëshmitarë se kandidatët ende pa hyrë në Gjykatën Kushtetuese po ngjyrosen partiakisht. Jemi dëshmitarë se nuk i jepet përkrahje cilësisë dhe kapacitetit të kandidatit por njerëzve të dëgjueshëm dhe gjykatës të përshtatshëm për pushtetin.”,- deklaroi Jadranka Pockova nga VMRO-DPMNE.
 
Llazarevska: S’ka më gjykatës nga “defteri” i VMRO-së
 
Sipas pushtetit, VMRO ndjen keqardhje që s’mund të zgjedh më gjykatës nga “defteri” me gjykatësit e saj të preferuar. -Frenoni kompletimin e institucioneve gjyqësore pasi jeni parti me bagazh të madh kriminal, akuzoi deputetja Llazarevska.
 
“Unë e di se pse ju vjen keq. Ju vjen keq sepse s’ka më zgjedhje të gjykatësve nga defteri. Pasi këtu ka kolege që në Komision diskutonin edhe nga 10 orë. Pra ju s’doni demokraci. Ju doni një defter prej ku do të tërhiqni ata që mendoni se do t’i nënshtrohen partisë tuaj politike dhe vetëm atëherë do të jeni të kënaqur. Tani ju vjen keq. Është deputante të mohohet procedura. Me vetë faktin që veç nga grupi juaj parlamentar jeni paraqitë 28 deputetë, ju legjitimoni procedurën për zgjedhje të gjykatësve kushtetues.”,- tha Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
 
Veç kandidates Tatjana Vasiq Bozaxhieva dhe kandidatit Fatmir Skender, shumica parlamentare propozonte edhe kryeprokurorin Ljubomir Joveski, kandidatura e të cilit u kundërshtua nga opozita në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve deri në bllokimin e seancës. Ndërkaq, propozime të opozitës të cilët nuk ka luan filtrin e Komisiomnit ishin: Savo Klimovski, Todor Vitlarov, Voisllav Dimovski, Vesna Jovanovska dhe Branko Sekulloski.       
 
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, që nga maji i vitit të kaluar, funksionon me pesë gjykatës dhe për shumë nisma nuk mund sigurojë shumicën për të marrë vendime.     

SHPËTIM NUREDINI