Kursimi i energjisë elektrike - kultura më kursimtare, MPL shton harxhimet
Institucionet shtetërore gjatë shtatorit....

Institucionet Shtetërore gjatë shtatorit kanë kursyer për 20% energji elektrike në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërtesa e qeverisë ka kursyer 25%, kuvendi 29%, kurse kabineti i presidentit 17%.
Ministria e Kulturës ka 40% kursim, gjashtë ministri nuk e kanë arritur përqindjen e kursimit prej 15% që ishte caktuar si masë. Mes ministrive që kanë kursyer më pak janë Ministria e Shëndetësisë me 2%, ministria e administratës 5%, Ministria e mbrojtjes 8%. Vetëm Ministria e Pushtetit Lokal në vend se të kursej ka shtuar shpenzimin e energjisë elektrike.
“Gjashtë subjekte kanë konsumin e zvogëluar të energjisë elektrike në shtator, por nuk kanë arritur kursimin prej 15% në përputhje me masat dhe obligimet të cilat i kemi sjellë ne së bashku. Derisa subjektet tjera kanë realizuar kursimet prej mbi 15% dhe shumica e institucioneve janë prej 25-35%. Vetëm ndërtesa administrative e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale ka rritur konsumin e energjisë elektrike në krahasim me shtatorin paraprak.”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ndërmarrjet në pronësi shtetërore kanë kursyer rreth 8% energji elektrike. Sa i përket komunave, Bekteshi informoi se ata e kanë ulur për 29% konsumin e energjisë elektrike. Megjithatë Bekteshi bëri të ditur se ka edhe prej komunave që nuk kanë kursyer aspak.
“Nga 81 komuna, 25 nuk kanë arritur kursim prej15%, ndërsa 56 komuna tjera kanë arritur të bëjnë kursim të energjisë elektrike më të madh se 15%. Më së shumti devijojnë komuna e Haraçinës, Gostivarit dhe Shën Nikollës.”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi tha se në qeveri ende nuk është biseduar për dënime për institucionet që nuk kanë kursyer energji elektrike. (Ersan Pajaziti, TVM2)
