40 mijë vaksina kundër gripit sezonal, nis vaksinimi falas për grupet e rrezikuara
Ka filluar imunizimi kundër gripit sezonal....

Ka filluar imunizimi kundër gripit sezonal. Qytetarët që morën mesazhe përmes “Terminit tim”, presin në radhë për t’u vaksinuar. Deri më tani përmes sistemit “Termini im” kanë aplikuar 27 mijë qytetarë. 12 mijë kanë marrë sms porosi ku duhet të regjistrohen dhe në çfarë ore të marrin vaksinën.
Qytetarët e moshuar thonë se mezi prisnin vaksinën, sepse kështu ndihen më të mbrojtur.
“Po kam rezultate, sepse nuk sëmurem prej se kam filluar të marr vaksinë kundër gripit.”,- tha një qytetar.
“Tash kam vendosur që çdo vit të marrë vaksinë sepse jam paraqitur, mora SMS dhe erdha.”,- theksoi një qytetar.
“Kam katër – pesë vite që vaksinohem dhe nuk kam pasur ndonjë problem.”,- u shpreh një qytetar.
Si çdo vit janë siguruar 40 mijë doza të vaksinave pa pagesë,që mund të merren në Qendrat e Shëndetit Publik, dhe në tri poliklinika në Shkup “Idadija”, “Gjorce Petrov” dhe “Bit Pazar”.
“Interesimi është i madh, imunizimi krijohet pas dy deri në tre javë pas aplikimit të vaksinës.”,- u shpreh një mjeke.
Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se qytetarët e interesuar ende mund të aplikojnë përmes ueb-faqes vakcinacija.mk. Ata që nuk kanë mundësi të aplikojnë vetë, mjekët amë mund t’u ndihmojnë të regjistrohen në sistemin e vaksinimit. Vaksina është e destinuar për personat mbi 65 vjeç, qytetarët me sëmundje kronike, personelin shëndetësor dhe gratë shtatzëna. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
