Thirrja e Osmanit për unitet eurointegrues, Mickovski: Janë vonë dhe s’janë seriozë

19.10.2022 15:41

Thirrja e ministrit të jashtëm, Bujar Osmani....

Thirrja e ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, për unitet të partive politike me qëllim që të vazhdohet procesi integrues i vendit pa vonesa, për opozitën maqedonase është ofertë tepër e vonuar.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Mickovski thotë se momentalisht nuk sheh koncept të qartë dhe komunikim serioz nga ata që i bëjnë ofertë. Potencon se pushteti tani ka kuptuar çka ka nënshkruar në Marrëveshjet me Bullgarinë, të cilat ai i quan dokumente kapitulluese për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

 “Janë të vonuar 2-3 vjet në qëllimet e tyre. Duhej të uleshim në tavolinë  para se t’i nënshkruanin këto “marrëveshje kapitulluese”. E dini, unë kam bërë thirrje që të uleshim dhe të bënim një strategji dhe në bazë të asaj strategjie të vepronim… Tash ja, pas një vonese të madhe përsëri sërish ofrohet diçka që s’ka koncept të qartë. Mendoj se ky është tentim për defokusim për përgjegjësinë që kërkohet në partinë e ministrit  për punë të jashtme. Do të shohim si rrjedhin punët atje, e pastaj do të mund të bisedojmë për ndonjë plan për të ardhmen.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Kuvendi bullgar mban seancën e parë, Kostadinov: Ta ruajmë interesin bullgar në RMV

Ndërkohë vazhdojnë provokimet nga Bullgaria. Deputeti, Kostadin Kostadinov, ka bërë thirrje që të ruhen interesat bullgare në vendin fqinj,  për të cilin, Maqedonia e Veriut është shtet i dytë bullgar.

“Jemi të obliguar ta mbrojmë interesin nacional bullgar në shtetin te dytë bullgar në Evropë – Maqedoninë, ose siç njihet tash, Maqedonia e Veriut.”,- tha deputeti bullgar, Kostadin Kostadinov.

Ministri Osmani do të dërgojë notë protestuese  në adresë të Sofjes pas ofendimeve  mbi popullin maqedonas nga historiani bullgar Dimitrov dhe eurodeputeti  Xhambaski.

Sipas Osmanit, pala bullgare ka kaluar të gjitha kufijtë dhe patjetër duhet kërkuar reagim zyrtar nga shteti bullgar. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)