Maqedoni

Kaos në transportin publik në Shkup, sindikalistët: Jemi të uritur, s’ka autobusë pa rroga

19.10.2022 16:00

Një paralajmërim për bombë të vendosur në një autobus të NTP-së ka paralizuar Shkupin...

Një paralajmërim për bombë të vendosur në një autobus të NTP-së ka paralizuar Shkupin. Autobusët e transportit publik u tërhoqën nga qarkullimi, ndërsa në transportin privat kishte kaos të madh. Nga MPB kanë njoftuar se kanë ndaluar një punonjës të NTP-së për të cilin besohet se i ka dërguar kërcënimet me e-mail. Pasi ekipet e policisë kundër terrorizmit kryen kontrolle, autobusët nisën dalëngadalë të ktheheshin në qarkullim. Me gjithë situatën kaotike të shkaktuar, të punësuarit nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga bllokimi i qarkullimit publik nëse nuk u paguhen rrogat e shtatorit. Nuk dihet nëse të enjten në Shkup do ketë autobusë. 
 
“Punonjësit e NTP-së janë të uritur. Edhe ata dhe familjet e tyre janë të uritur. Nëse sot nuk marrin pagë nesër jemi këtu në 4 e 30 së bashku me familjet e tona.”,- tha kryetari i njërës prej sindikatave në NTP Miço Stojanovski.
 
Qytetarët: Po vonohemi edhe ne, gjeni zgjidhje
 
Qytetarët ankoheshin  për pritje të gjata dhe rrëmujë.
 
“Jam duke e pritur autobusin me nr 19 dhe 20 po nuk janë duke kaluar. Diku rreth 15 minuta jam duke pritur.”,- tha një qytetar.  
 
“Tërë dita na ka shkuar në pritje. Tani kur erdh këndej mezi hyra në autobus kishte shumë rrëmujë. Prej në mëngjes nuk ka pasur autobusë.”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Pothuajse 15 minuta jam duke pritur dhe ende nuk është duke ardhur ndonjë autobus.”,- tha një qytetar.
 
“Në mëngjes kam qenë në shkollë prej në 6 ora dhe janë vonuar për gjysmë ore, kam pritur shumë.”,- theksoi një qytetar.
 
“Veç më gjysmë orë jam duke pritur. Kjo nuk është në rregull.”,- tha një qytetar.
 
Teksa pritet policia të tregojë variantin zyrtar se përse i punësuari J. I. 28 vjeçar nga Buteli, i punësuar si mekanik në stacionin e autobusëve në “Gjorçe Petrov” vendosi të tmerrojë shkupjanët, një tjetër i punësuar në NTP tha se është akuzuar nga drejtori se ai ka kërcënuar me vendosjen e bombës. Afrim Muça paralajmëroi edhe padi ndaj të njëjtit.
 
“Erdha në mëngjes dhe më akuzoi drejtori gjeneral se unë jam ai i cili e ka organizuar këtë dhe do ta shohësh t’i se çfarë do të ndodh më vonë, këto ishin fjalët e atij.”,- tha Afrim Muça Muça - i punësuar në NTP.
 
Qyteti i Shkupit: Bëjmë përpjeke të japim paga, s’është faji ynë
 
Por, këto akuza i ka mohuar drejtori i NTP-së, Aleksandar Stojkovski. Menaxhmenti i ndërmarrjes bashkë me sekretarin e qytetit të Shkupit, me disa autobusë, bllokuan rrugën para Qeverisë në shenjë proteste . Edhe pse janë përgjegjës për dhënien e pagave, për gjendjen fajësojnë borxhet që Ministria e Arsimit dhe disa komuna i kanë qytetit të Shkupit për shërbimet e NTP-së. 
 
“Obligimi ynë do të realizohet dhe punëtorët e NTP-së i sigurojmë se do ta realizojmë pagën sipas të gjitha obligimeve ligjore. Sipas ligjit, punëtorët është dashur t'i marrin pagat deri më datën 15 të këtij muaji.”,- deklaroi sekretari në Qytetin e Shkupit, Zoran Gligorov.
 
Mospagesa e rrogave, LSDM: Fajtorë janë VMRO-DPMNE dhe Arsovska
 
Pushteti fajëson Mickovskin dhe Arsovskën.
 
“Nuk ka borxh ndaj tyre nga ana e Qeverisë, kjo është një përpjekje e dëshpëruar për manipulim dhe fshehje të  paaftësisë, tentative për të zhvendosur fajin e tyre tek dikush tjetër.”,- tha Vasko Kicevski nga LSDM.
 
Këshilltarët e VMRO-së në qyteti e Shkupit, propozojnë që nga buxheti të ndahen mjete për paga për punëtorët NTP-së.
 
GAZMEND KURTISHI