Maqedoni
Vonohen rrogat e shtatorit, protestë paralajmëruese në postat e vendit
19.10.2022 16:51
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Posta e Maqedonisë” kanë protestuar duke kërkuar pagën...

Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Posta e Maqedonisë” kanë protestuar duke kërkuar pagën e tyre për muajin shtator. Ata dolën nga ora 11 deri në 11:30 para dyerve të filialeve në vend. Punonjësit kërkojnë pagesë të rregullt të pagave, ruajtjen e vendeve të punës, si dhe reforma dhe riorganizim të punës.
“Dikur merrnim në fillim të muajit, tani rrogën e fundit e morëm në datën 23. Po të vazhdojnë kështu, një rrogë do të na shkojë dhe nuk do ta marrim. Kjo është një protestë paralajmëruese, sepse populli nuk mund ta durojë më.”,- tha postieri, Angell Nikollovski.
“Ka një revoltë te punonjësit për shkak të vonesës së pagës dhe shqetësimit të punonjësve për të ardhmen e Postës dhe jetesën e tyre. Protesta do të zgjasë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të parashtruara.”,- thonë nga Sindikata e “Postave të Maqedonisë”.
Ata kujtojnë se rroga është dashur të paguhet deri me datën 15 të muajit, ndërkohë që e njëjta është me vonese prej dy muajsh. Protesta u zhvillua gjatë kohës së pauzës,me qëllim që procesi i punës të vijojë pa probleme. Në periudhe kohore prej 30 minutash punonte një sportel ku bëheshin pagesat si dhe trafiku postar.
Ndërkohë, Bordi Drejtues i “Postës së Maqedonisë” ka njoftuar punonjësit se pritet në çdo moment mjete financiare nga Qeveria për të lëshuar pagat, por nuk kanë mundur të precizojnë se me cilën datë saktë do të lëshoheshin rrogat.
Sipas Bordit Drejtues, para punonjësve do të realizohet dhe prezantohet një plan dhe strategji për tejkalimin e situatës dhe stabilizimin e funksionimit të ndërmarrjes publike.
BELINDA KOKA ADEMI
