Botë
Dialogu Prishtinë-Beograd, Kurti: Kemi qenë gjithmonë pala konstruktive
19.10.2022 17:35
Kosova është e gatshme për marrëveshje me njohje reciproke....

Kosova është e gatshme për marrëveshje me njohje reciproke. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës,Albin Kurti, pas takimit me emisarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë–Serbi, Gabriel Escobar. Me të njëjtin konstatim doli edhe presidentja, Vjosa Osmani.
“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.”,- tha kryeministri i republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Osmani: Serbia mbështet strukturat kriminale
“Kosova ka qenë gjithmonë palë konstruktive në dialog, e po ashtu është e gatshme ta rrisë angazhimin për gatishmërinë për intensifikimin e procesit të dialogut. Shfrytëzova rastin për të shprehur shqetësimin për mosimplementim të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Ajo vazhdon të mbështesë strukturat kriminale serbe.”,- theksoi presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Escobar në Prishtinë: Kosova të rreshtohet me vlerat europiane
Escobar tha se është e rëndësishme që Kosova të rreshtohet me vlerat europiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize.
“Diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë dhe implikimet rajonale nga dialogu. Po ashtu edhe rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj. Është e rëndësishme të rreshtoheni në vlerat evropiane në këtë kohë krize në kontinentin europian. Dua të theksoj sërish se ShBA e mbështetë Kosovën në gjitha aspiratat e saja euroatlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Republikën e Kosovës për të mundësuar një gjë të tillë.”,- u shpreh emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.
Kurti përkujtoi se Kosova tashmë është rreshtuar në anën e duhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe mbështetjen e parezervë për Ukrainën, që tregon dallimin me të gjithë të tjerët, të cilët nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të vërtetës dhe të drejtës.
GYLTENE SINANI
