Maqedoni

Akuza të ndërsjella LSDM – VMRO - DPMNE

24.01.2015 17:13

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë kërkoi nga VMRO dhe BDI të mos votojnë amendamentet kushtetuese...

Partia maqedonase e quan përpjekjen e djeshme për të miratuar amendamentet, një tjetër pazar mes dy partive qeverisëse. LSDM thotë se pushteti ndodhet në qorrsokak, nga i cili duhet të dalë me patjetër. 
 
“Mos bëni pazar me gjëra që nuk janë për t’u bërë pazar. Mos ndërmerrni veprime që sjellin më shumë përçarje. Kushtetuta e çdo vendi është akti më i lartë që bashkon dhe që nuk ndan”, tha Renata Deskoska nga LSDM.  
 
Ajo la të kuptohet se mungesa e unitetit rreth Kushtetutës ka sjellë luftën e vitit 2001.
 
“Dëmet nga mosmbajtja llogari për unitetin rreth Kushtetutës, Maqedonia i pësoi në vitin 2001”, shprehet Renata Deskoska.
 
Deskoska thotë se miratimi me dhunë i amendamenteve kushtetuese në kushte kur opozita mungon në Kuvend, ndërsa shteti ndodhet në krizë politike dhe shtetërore, do të tregojë se qeveria nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara.
 
Ndërkohë, VMRO-DPMNE ka reaguar pas akuzave të LSDM-së se dy partitë qeverisëse po bëjnë pazar për ndryshimet kushtetuese. Partia e kryeministrit tha se kjo sjellje e opozitës është e papërgjegjshme, sepse ajo vazhdon të kritikojë ndërkohë që nuk është përfshirë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, me propozime konkrete, edhe pse gëzon një mundësi të tillë.
 
VMRO i quan politikë ditore akuzat që LSDM u bën shumicës parlamentare dhe thotë se askush s’e pengon këtë parti të inkuadrohet në institucione dhe të kontribuojë me propozime për miratimin e zgjidhjeve më të mira ligjore dhe kushtetuese.
 
“LSDM vendos vetë të mos bëjnë punën e saj, deputetët të mos meritojnë pagat që marrin dhe të mos përfaqësojnë qytetarët që u kanë dhënë mbështetjen në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për fat të keq të LSDM-së, këto ndryshime kushtetuese janë miratuar në një procedurë më transparente se kurrë ndonjëherë”, thotë reagimi i VMRO-së. Partia siguron se për këto ndryshime kushtetuese ekziston konsensus i gjerë shoqëror. 
 
RINA TURKESHI-SAHITI