Maqedoni

Zënka në seancën e Qytetit të Shkupit, Arsovska përplaset me këshilltarët e VMRO-së

19.10.2022 18:19

Borxhet e akumuluara në Ndërmarrjen Publike “JSP” ka shkaktuar debat të ashpër në seancën e Qytetit të Shkupit...

Borxhet e akumuluara në Ndërmarrjen Publike “JSP” ka shkaktuar debat të ashpër në seancën e Qytetit të Shkupit, ku folësit nuk kursyen fjalë nga më të rënda për kundërshtarët politik, duke shkuar deri atje ku haptazi flisnin për tenderët, për shuma të mëdha të parave, e për grupe kriminelësh.
 
“Ne jemi parti serioze dhe nuk do t’i lëmë qytetarët pa transport publik.”,- tha Mirjana Andonovska nga VMRO-DPMNE.
 
“Atë drejtorin që e shkarkuam, qe e kapëm me duart në mjaltë nuk ishte i VMRO-DPMNE-së, ai i cili deshi të kurdis tender prej 37 milion euro.”,- theksoi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së kërkuan dorëheqje nga Arsovska, ndërsa ajo shpjegoi:
“Nëse kërkohet dorëheqje atë duhet ta kërkoni nga Mickoski.  Duam të flasim për kriminal, këtu kam një fotografi me një zotëri që ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së ishte edhe ish drejtor dhe nga marrëveshjet e këtij zotëriu JSP ka humbur dhe po humb milion dhe miliona euro.”,- u shpreh kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Por, këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Nelloski, akuzoi Arsovskën së për këtë do të duhet të përgjigjet para gjykatës, sepse për këtë nuk ka asnjë dëshmi.
 
“Nuk jeni aq e guximshme kur jepni dëshmi ku penalisht do të paditeni për deklarime të rrejshme, pa pasur asnjë dëshmi.”,- theksoi këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Nelloski.
 
Debati pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
 
FITIM KRYEZIU