Degjenerohet protesta, thyhen xhamat e qeverisë
Mijëra qytetarë të Kosovës kanë dalë nëpër rrugët e Prishtinës në një protestë të organizuar nga partitë opozitare të Kosovës, organizatat joqeveritare për të pagjeturit dhe shoqatat e dala nga lufta...

Protesta, sipas organizatorëve, bën thirrje për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i ka quajtur “egërsira” nënat protestuese në Gjakovë. Po ashtu, përmes protestës kërkohet shpallja e kombinatit Trepça ndërmarrje publike.
Protestuesit kanë brohoritur parulla “Trepça është e jona – Jabllanoviq jashtë” dhe të ngjashme. Ndërkohë, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka ndërhyrë ndaj protestuesve të dhunshëm që po gjuanin gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë.
Policia ka arrestuar disa nga protestuesit e dhunshëm. Në largimin e protestuesve janë angazhuar edhe pjesëtarë të KFOR-it.
Zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, në një prononcim për KTV-në, ka thënë se qëllimi i policisë nuk është që të sulmojë qytetarët, mirëpo në rastet kur protestuesit në këtë rast janë të dhunshëm, ndërhyrja është e pashmangshme. Policia ka hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve të cilët kanë hedhur gur në drejtim të policisë por edhe kanë thyejnë xhamat e lokaleve.
Protestuesit me këtë rast kanë sulmuar kafiteritë, duke thyer kërriga, tavolina dhe xhama. Raportohet për disa policë të lënduar, por jo edhe për protestues. Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Kosovës, derisa kanë qenë duke gjuajtur në drejtim të Policisë së Kosovës.
