Transporti publik në protesta, shkupjanët vështirësi për të shkuar në punë
20.10.2022 14:05
Një pjesë e qytetarëve të Shkupit sot në mëngjes nuk kanë mundur të shkojnë me kohë në vendet e punës...

Një pjesë e qytetarëve të Shkupit sot në mëngjes nuk kanë mundur të shkojnë me kohë në vendet e punës, në shkolla, apo spitale. Për herë të parë Shkupi mbeti pa transport publik, pasi autobusët e NQP-së mbetën të parkuar për shkak të protestës së punonjësve. Nervozizëm dhe mbingarkesë në rrugë, në stacione ndalonin vetëm autobusët e transportuesve privatë.
“Nuk ka autobus. Momentalisht vijnë vetëm autobusët privat, por edhe ato janë të rrallë. Presim rreth 40 minuta.”,- tha një qytetar.
“Ato duhet të kenë rregulla të tjera, t’i kërkojnë të drejtat e tyre, rrogat e tyre, por jo kështu.”,- theksoi një qytetar.
“Prita autobus rreth një orë, nuk kishte, u ktheva në shtëpi e mora biçikletën.”,- deklaroi një qytetar.
Herët në mëngjes, punonjësit u mblodhën rreth kompanisë. Por, në vend se të fillojnë me vozitjen, ata vendosën që autobusët ti lënë të parkuar. Punonjësit kërkojnë pagesën e rrogës së shtatorit, në të kundërt kërcënuan se autobusët nuk do të qarkullojnë.
“Është hapur kutia e Pandorës, tani do të insistojmë që të gjitha kërkesat të realizohen. Nuk mundet më kështu, nuk po durohet. Unë iu kërkoj falje edhe udhëtarëve, por faji nuk është i ynë.”,- deklaroi i punësuari në NQP- Shkup, Afrim Muça.
“Ky është hapi i vetëm që të marrim rrogat tona dhe ti sigurojmë familjet tona.”,- tha kryetari i njërës prej sindikatave në NQP, Miço Stojanovski.
“Drejtor ne prej në mëngjes erdhëm në punë, por rroga nuk pamë se ju siguruat dje. Unë isha i pranishëm në Këshill, ju nuk ishit.”,- theksoi kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Por, në vend të parave për rroga, sindikalistët fituan kallëzim penal. Menaxhmenti i NQP-së thotë se rreth njëzet persona i kanë penguar vozitësit të dalin në linjë, të cilët nuk kanë pasur as këshill të grevës, e as grevë të paralajmëruar, me çka kanë penguar punën e ndërmarrjes dhe kanë mbajtur peng qytetarët e Shkupit. Me njoftim doli edhe Qyteti i Shkupit.
“Edhe pse afati ligjor për pagesën e pagave është deri në datën 15 të muajit, një pjesë e menaxhmentit të NQP-së vendosi që duke manipuluar dhe nxitur disa nga punonjësit, ta lënë qytetin pa transport publik me arsyetimin se po vonohet pagesa e rrogave, sot qyteti i Shkupit ka gjetur zgjidhje për pagesën e menjëhershme të mjeteve.”,- thuhet në letrën e Qytetit të Shkupit.
ERSAN PAJAZITI
