Zgjerimi i BE-së, Geer: Fqinjësia e mirë ruan njëherit edhe identitetin
Politika e fqinjësisë dhe raportet e mirë ndër-shtetërore...

Politika e fqinjësisë dhe raportet e mirë ndër-shtetërore janë pjesa më e rëndësishme e procesit aderues të një shteti, për shkak se BE nuk dëshiron të importojë brenda saj probleme të zgjatura dypalëshe, tha euroambasadori David Geer.
Duke folur për raportet Shkup-Sofje, diplomati evropian me thirrje që dy shtetet të respektohen mes vete, sepse kjo qasje, sipas tij, shpie në ruajtjen dhe përforcimin e identitetit dhe historisë.
“Në promovimin e raporteve të mira fqinjësore duhet të gjithë të qasemi me transparencë dhe respekt. Duhet të dëgjohen palët sepse kjo është në interesin tonë dhe kështu nuk do të humbet identiteti ynë nëse kështu veprojmë. Procesi i aderimin në BE mund të jetë instrument për promovimin dhe përparimin e raporteve, përmes shfrytëzimit të mjeteve që janë në disponim dhe hapjes së tregut të përbashkët. Potencoj edhe njëherë se ky proces nuk nënkupton tradhti ndaj historisë dhe identitetit, por e kundërta. Integrimi në BE sjell prosperitet më të madh, stabilitet dhe përgjegjësi demokratike.”,- deklaroi euroambasadori David Geer.
Ambasadorët e huaj: Shihni punët me pozitivet dhe zgjidhni problemet
Në konferencën mbi mundësinë e zgjerimit të BE-së, ambasadori çek apeloi që të vazhdohet në rrugën eurointegruese me pozitivitet dhe fokusi të vendoset në beneficionet që sjell unioni. Me të njëjtin mendim edhe ambasadorja e Suedisë, vendi që do të udhëheq me BE-në nga janari.
“Jemi të fokusuar më tepër në avatazhet dhe beneficionet e tregut unik evropian ku Maqedonia do të bëjë pjesë pasi të anëtarësohet në BE. Një pjesë e programit të presidencës çeke ka të bëjë me promovimin e raporteve ndërfqinjësore - Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.”,- tha ambasadori i Çekisë në vend, Jaroslav Ludva.
“Të gjitha iniciativat për dialog janë të mirëseardhura, por duhet të kyçen të gjitha palët, shoqëria civile dhe sektori i biznesit. Zëri i tyre është shumë i rëndësishëm në tejkalimin e problemeve.”,- theksoi ambasadorja e Suedisë, Ami Larsson–Jain.
Ambasadorët sigurojnë përkrahjen e BE-së në fazën aktuale eurointegruese të vendit. Por, njëherit ftojnë shtetin tonë dhe Bullgarinë që të vazhdojnë tutje me zgjidhjen e problemeve nëpërmjet dialogut dhe nën frymën paqësore. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
