MPJ bullgare: Deklaratat fyese janë të papranueshme
Pas notës verbale të dërguar dy ditë më parë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut....

Pas notës verbale të dërguar dy ditë më parë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut përmes ambasadës në Sofje, ku shprehet pakënaqësia ndaj deklaratave të fundit të deputetit në Parlamentin Evropian dhe bashkëkryetarit të parisë politike VMRO-BND, Angel Xhambaski, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare mbrëmjen e së mërkurës publikoi qëndrimin e saj në lidhje me deklaratat e fundit publike, gjegjësisht të Maqedonisë së Veriut.
Nga MPJ bullgare thonë se çdo deklaratë publike që fyen apo provokon palën tjetër është absolutisht e papranueshme. Sipas tyre, deklaratat e tilla nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të shtetit bullgar dhe tentativat për t’u paraqitur si të tillë janë të pasakta dhe shenjë e vullnetit të keq.
“Pavarësisht provokimeve të shumta kundër Bullgarisë dhe veçanërisht ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut në muajt e fundit, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare vlerëson se një fjalim i tillë është i papranueshëm dhe jashtëzakonisht kundër-produktiv. Deklarata të tilla nuk janë në interes të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e largojnë vëmendjen e publikut nga përpjekja e drejtë dhe legjitime e komunitetit bullgar për të drejta të barabarta civile, veçanërisht për shoqërim të lirë dhe mbrojtje të trashëgimisë së tyre kulturore dhe historike.”,- thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.
Së fundmi, MPJ bullgare “në përputhje me frymën e Marrëveshjes për fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017, u bën thirrje politikanëve dhe figurave publike në të dy anët e kufirit që të drejtojnë përpjekjet dhe mesazhet e tyre drejt ndihmës së procesit të rikthimit të besimit dhe forcimit të marrëdhënieve fqinjësore. (Sanije Duraku, TVM2)
